zoom

Ide & Blog

“Deputeti që Duam”, platforma ku u ofrua “gjak i ri” për t’i bërë një lifting moral një strukture të kriminalizuar në palcë

“Deputeti që Duam”, platforma ku u ofrua “gjak i ri” për t’i bërë një lifting moral një strukture të kriminalizuar në palcë

Nga Adri Nurellari

Një vit më parë, pa nisur ende fushata për zgjedhjet parlamentare, hapësira publike mediatike u kthye në panair aplikimesh, me qindra fytyra që rendnin, duke u shtyrë me bërryla, drejt platformës “Deputeti që Duam” për t’u bërë “kandidatë për kandidatë” që donin të zinin vendet e lëna bosh nga udhëheqësit socialistë që SPAK-u i rreshtoi në qeli apo i nisi në arrati.

Në shoqëri të qytetëruara evropiane me shtyllë kurrizore, kur një forcë politike tronditet nga akuza të rënda për korrupsion në nivelet më të larta, manipulim zgjedhjesh apo lidhje me krimin, njerëzit, në rastin më të mirë, i kundërvihen me guxim; në rastin më të keq, dorëzohen, largohen dhe ruajnë distancën për hir të dinjitetit personal.

Këtu ndodhi e kundërta: u ofrua “gjak i ri” për t’i bërë një lifting moral një strukture të kriminalizuar në palcë.

Kur proceset dhe përgjimet dëshmojnë ditë pas dite për lidhje të politikës me banda të përfshira në vrasje e trafiqe droge, është e natyrshme frika, sepse jo të gjithë janë guximtarë. Jo të gjithë zgjedhin përballjen.

Por ekziston një vijë minimale morale qytetare që quhet ndërgjegje dhe që të thërret të mos bëhesh pjesë e asaj që e di me bindje se është e komprometuar, sidomos pasi ke parë zëvendës-kryeministrin të arratisur apo kryebashkiakë, ministra e deputetë të arrestuar.

Këtu ndodhi e kundërta sepse hetimet hapën boshllëqe dhe ato u mbushën me etje. Një bie, mijëra ngrihen për t’ia zënë vendin, jo për ta pastruar sistemin, por për ta mbajtur në këmbë duke e arnuar me fytyra ende të pakomprometuara.

Pika kulmore e atij ushtrimi ishte përfaqësimi simbolik i gjithë atyre që morën pjesë, me fituesen kryesore të garës, Zegjinenë, si fytyra publike e një procesi të shitur si rinovim.

Fluksi masiv në atë platformë nuk ishte thjesht ambicie pragmatike politike, por simptomë e një degradimi të hapur moral të shoqërisë, apo siç Hannah Arendt e quan, banaliteti i së keqes. Kur hetimi nuk tremb, por motivon; kur burgu nuk distancon, por hap mundësi të reja për oportunistët; kur krimi nuk revolton, por josh, atëherë nuk kemi problem me individë të veçuar, por me busullën morale të shoqërisë.