zoom

In Zoom

Dëngla qeveritare! Në Kosovë ministrat tanë me autobus, në Shqipëri zhytur në luks

Janë ca dëngla ,të cilat nuk hahen. Mbledhja e tetë e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë çoi në Prishtinë një duzinë ministrash nga Tirana.

Duke reflektuar një thjeshtësi të pazakontë, ministrat shqiptarë lanë mënjanë makinat e luksit dhe hipën në një autobus fare modest për ta, siç e shihni në këtë foto të postuar nga Zoom.al.


Sigurisht, një ngjarje jo fort e vogël për kabinetin tonë qeveritar, që duhej reklamuar në rrjetet sociale.

Kështu, ministrja Milva Ekonomi dhe ai i Drejtësisë, Ulsi Manja nxituan të publikonin foto.

Një lëvizje kjo strategjike, si për t’u gjendur më pranë popullit, pikërisht në një kohë kur më shumë se asnjëherë tjetër, qytetarët shqiptarë po braktisin automjetet e tyre, si pasojë e çmimit stratosferik të naftës.

Por a janë vërtet kaq të thjeshtë ministrat tanë apo udhëtimi me autobus është show i radhës i stilit Rama, të mbushur me dëngla populiste që ua shesin shqiptarëve?

Bledi Çuçi udhëton me një makinë luksoze tip BMW, me vlerë mbi 70 mijë euro. Ai e trashëgoi nga Sandër Lleshaj, por i vendosi targa të pesonalizuara sapo hipi mbi të për herë të parë.


Po kështu, mjafton të bëni një kërkim në Google, me fjalë kyçe fare të thjeshta “Olta Xhaçka makina” dhe artikujt ndër vite janë këto:


As ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nuk mbetet pas. Përpos transportimit luksoz, Manastirliu nuk denjon “të shtrydhë” deri në fund përfitimet si ministre.

“Vetëm pak muaj në detyrë, ministrja e re e Ramës nuk zbret nga makina nëse nuk i hapin derën”, ishte titulli i një artikulli në dhjetor të 2021-shit.

Belinda Balluku, e përfolur vazhdimisht për dobësinë ndaj jetës vanitoze (bizhuteri dhe veshje luksi). Por ajo udhëton gjithashtu në një makinë luksi, një Audi A8, të cilën e lan 20 herë në muaj, siç dëshmoi një tender i kryer prej saj për larjen e makinave të Ministrisë së Infratrukturës që ajo drejton.

Në mars të 2022-shit, lidhur me situatën e rritjes së naftës, ministja do të prezantonte një strategji kursimi:“Filloni ecni më këmbë që të kursejmë naftën, mos shkoni me makinë për të blerë bukë”. Por vetë s’e lë asnjë ditë në shtëpi makinën luksoze që djeg mijëra litra naftë të blerë me taksat e shqiptarëve.

 

Publikimi i databazës me targat e makinave të regjistruara në Shqipëri nxori në pah një pjesë të ajsbergut të luksit qeveritar, duke i dhënë publikut një ide të përgjithshme mbi preferencat e kabinetit ekzekutiv.

Ministri Ulsi Manja rezultoi kishte një fuoristradë të markës “Mercedes Benz ML” me një kubaturë të konsiderueshme 3500 kubik.

Niko Peleshi një “Mercedes ML” dhe Evis Kushi “Skoda Octavia”. Në lusk udhëton edhe Elva Margariti.

Ndaj autobusi që i çoi drejt Prishtinës është si një ekskursion për të ndryshuar atmosferë dhe për të gënjyer publikun, jo stili i përditshëm i jetesës, sepse të gjithë e dinë luksin në të cilin punojnë e flenë secili prej ministrave të qeverisë “Rama 3”. /Zoom.al