zoom

Blog

Ç’m*tin bën policia?

Një statistikë e dhjetorit të vitit të shkuar tregoi se 139 gra janë vrarë në Shqipëri, përgjatë 10 viteve të fundit, nga (ish)partnerët e tyre.

“Ekspertët e drejtojnë gishtin e përgjegjësisë, jo vetëm tek indiferentizmi i institucioneve shtetërore, por edhe te një lloj mentaliteti patriarkal, nga i cili nuk po çlirohet as sistemi i drejtësisë dhe te korrupsioni në dhënien e së drejtës”, thuhej ndër të tjera në vëzhgimin e bërë.

Ngjarjet kanë treguar se pre e një fundi fatal kanë rënë edhe gra të pajisura me një urdhër mbrojtjeje, çka supozon marrjen në dorë të sigurisë së jetëve të tyre nga instancat përkatëse. E megjithatë, ato sërish janë poshtëruar, rrahur dhe masakruar për vdekje.

Jo më larg se mesnatën e sotme, teksa qyteti i Elbasanit flinte dhe bashkë me të edhe policia, një grua që kërkoi mbrojtje institucionale humbi jetën. Bashkëjetuesi e theri me thikë. Pesë ditë më parë, e ndjera denoncoi dhunën, tentoi të merrte një urdhër mbrojtjeje dhe fill pas kësaj shkoi në të njëjtën shtëpi ku gjendej agresori, veçse qëndruan në dhoma të ndara. Tjetër zgjidhje nuk iu dha.

Për fatin tonë të keq, ky nuk është një rast i izoluar injorimi shtetëror. E gjitha kjo është kokë e këmbë një papërgjegjshmëri sistematike e hallkave-fantazmë. Kështu, teksa dikush nuk kryen punën, një grua bëhet kurban! Teksa një grua kërkon ndihmë, lihet në një shtëpi me dhunuesin.

Jetlira Elezi, viktima e sotme është tanimë një numër më shumë, një statistikë. Ajo rreshtohet përkrah Sabrina Bengajt, Lumturie Bicit, Irvana Hykës e shumë të tjerave. Gra të ndara, gra të dhunuara, gra në proces divorci, gra të lëna vetëm.

“Ishte tenxherja në zjarr, në një moment sherri ai e gjuajti me shkelm dhe ra mbi djalin, duke e djegur, aq sa iu rrezikua jeta. Nga ai çast kërkova divorcin dhe 3 muaj rresht kërkova nga prefektura të më gjenin një banesë dhe të largohesha së bashku me tre fëmijët, por ata nuk e bënë”, – do të shprehej për “INA”, Marjana. H., nga Vithkuqi i Korçës.

Ajo iu drejtua gjykatës për zgjidhjen e martesës, vetëm kur desh humbi të birin nga dhuna, por divorci nuk e shpëtoi, pasi vazhdon të jetojë në një banesë me ish-bashkëshortin; e detyruar të flejë me thikë nën jastëk. Kushedi, mund t’i duhet!

Qesharake se si fushata fonde-vjedhëse hiqen se po luftojnë për sensibilizimin dhe emancipimin e grave tona, thua se është ky problemi, ndërkohë që kur ato guxojnë, fundi është po i njejtë. Adoleshente që i shantazhojnë të dashurit, vajza që kërcënohen me jetë nga ish-partnerët, gra të moshës së dytë apo të tretë që s’gjejnë dot gjëkundi mbështetje financiare dhe ndaj vazhdojnë qëndrojnë.

Nga viti në vit, Policia e Shtetit raporton mijëra raste të dhunës në familje.

Do nisur me ndryshime nga A-ja. Do filtruar soji i punonjësve që gjendet komisariateve, ata që muaj më parë, një mikeshës sime që shkoi të denonconte shantazhin e ish-it, i thanë:

”Ora 12 e natës, nuk e leje dot për nesër?”

Janë këta që të shohin shtrembër, këta që rrinë celulareve kur je duke dhënë dëshminë, që shqyejnë sytë kur u thua se të përdhunon burri apo se dhunohesh psikologjikisht prej tij.

Është një tufë injorantësh, që nëpër humore të rëndomta cilësohen si barkderra e kokëbosha. Por sigurisht, ata janë vetëm një pjesë e problemit, veçse thërrime. Jo më kot, ky popull thotë se peshku, qelbet nga atje lart, shumë lart!

Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.