Aplikacion
Një grup kandidatësh dhe ish-deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët janë renditur ndër më të votuarit në primare dhe në bazën e partisë, u mblodhën për rreth tre orë për të diskutuar drejtimin e ardhshëm të PD-së.
Në takim morën pjesë Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti – ky i fundit më i votuari në Tiranë – si dhe Hysen Kadiu, që doli i pari në primare por u përjashtua nga listat. Të pranishëm ishin gjithashtu Aulon Kalaja (më i votuari në Durrës), Gent Cela (Qarku Fier), Qani Xhafa (Elbasan), Ted Kopliku (Shkodër), Xhemal Gjunkshi (Dibër), Alma Kore (Gjirokastër), Parid Mahmutaj (Berat), Nada Daullja (Vlorë), si edhe një numër tjetër fituesish të primareve.
Sipas burimeve pranë takimit, synimi kryesor ishte shkëmbimi i ideve dhe përvojave të kandidatëve më të votuar, për të gjetur rrugëzgjidhje për ringritjen e PD-së.
Diskutimet u përqendruan te rikthimi i “ADN-së fituese” të partisë, forcimi i meritokracisë, hapja e strukturave dhe rritja e besimit të qytetarëve te opozita.
“Partia duhet të ndërtohet mbi meritokracinë, hapjen dhe rikthimin e identitetit fitues,” u shprehën burimet pas mbledhjes.
Takimi vjen në një moment kur pakënaqësitë në bazën demokrate janë rritur, për shkak të mënyrës së funksionimit të opozitës dhe humbjeve të përsëritura në zgjedhjet e fundit./ Zoom.al