zoom

Aktualitet

”Burrë besnik”- Gruaja e Franc Çopjas dëshmon në gjykatë: Kurrë s’e ngrinte zërin

”Burrë besnik”- Gruaja e Franc Çopjas dëshmon në gjykatë: Kurrë s’e ngrinte zërin

Seanca gjyqësore e 29 janarit në Bruksel për vrasjen e Ardit Spahiut ka sjellë dëshmi të reja nga disa persona të thirrur nga Gjykata, mes tyre edhe familjarë dhe dëshmitarë të lidhur me çështjen.

Nëpërmjet një videotelefonate nga Emiratet e Bashkuara Arabe, bashkëshortja e Franc Çopjas, i akuzuari kryesor për vrasjen e ndodhur më 27 nëntor në Molenbeek, ka dhënë dëshminë e saj. Ajo e përshkroi Çopjan si një burrë besnik dhe “jo agresiv”, duke theksuar se “kurrë nuk e ngrinte zërin”. Sipas saj, ajo nuk ka pasur dijeni për ndonjë aktivitet kriminal dhe ka këmbëngulur se bashkëshorti i saj është i pafajshëm.

Në të njëjtën seancë, përmes videokonferencës dëshmoi edhe një shtetas shqiptar rreth të 30-ave, nga Elbasani, vendlindja e viktimës Ardit Spahiu. Dëshmitari deklaroi se i njihte familjet Alibej dhe Çopja, të cilat sipas tij kanë pasur një konflikt mes tyre që daton të paktën nga dhjetori i vitit 2018. I pyetur nga gjykatësja për një sherr të ndodhur në vitin 2017, ku përfshihej Franc Çopja, ai e cilësoi atë si një “mosmarrëveshje të vogël” dhe një “zënkë të thjeshtë” që më pas ishte përshkallëzuar.

Gjykatësja vuri në dukje se ngjarja ishte raportuar në mediat shqiptare si një përplasje ku ishin përdorur armë, ndërsa dëshmitari kundërshtoi këtë version, duke thënë se një pjesë e dëshmisë së dhënë më herët nga vëllai i gruas së vëllait të viktimës, anëtar i familjes Alibej, është e pavërtetë.

Gjatë seancës u paraqit edhe dëshmia e një eksperti të ADN-së, i cili bëri me dije se në vendngjarje nuk është gjetur asnjë material gjenetik tjetër, përveç atij të viktimës Ardit Spahiu dhe shoferit të automjetit.

Franc Çopja akuzohet nga autoritetet belge si organizatori dhe porositësi i vrasjes, si dhe si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal. Prokuroria pretendon se ai ka qenë i përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash. Çopja u ekstradua nga Dubai drejt Belgjikës më 30 dhjetor 2023 dhe që prej asaj kohe ndodhet i paraburgosur në burgun e Haren. Ndërkohë, ndaj tij ekziston edhe një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet shqiptare që prej 3 shtatorit 2024.

Postime të lidhura