zoom

Aktualitet

Bulqizë, zhduket ish-efektivi i Gardës

Bulqizë, zhduket ish-efektivi i Gardës

Një 55-vjeçar rezulton i zhdukur prej një dite në Bulqizë, ndërsa familjarët e tij kanë nisur kërkimet dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të ndihmojnë me çdo informacion që mund të çojë në gjetjen e tij.

Bëhet fjalë për Flamur Kolmarkun, ish-efektiv i Gardës së Republikës, i cili sipas të afërmve vuan nga demenca dhe ka probleme të theksuara me kujtesën. Mungesa e tij është konstatuar një ditë më parë dhe që prej atëherë nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen.

Të afërmit bëjnë me dije se mjekët që e kanë ndjekur sugjerojnë se, për shkak të gjendjes shëndetësore, ai mund të ketë tentuar të kthehet në zona ku ka jetuar në periudha të mëparshme të jetës së tij. Mes vendeve që po verifikohen janë Mamurrasi, Rubiku dhe Kurbneshi në zonën e Mirditës.

Sipas informacioneve të fundit, 55-vjeçari është parë në Bulqizë duke lëvizur në drejtim të Burrelit. Pas atij momenti nuk ka të dhëna të tjera për vendndodhjen e tij.

Familjarët apelojnë që të telefonohet në numrin +355 68 206 5729 nëse dikush ka informacion për vendndodhjen e tij./ Zoom.al

Postime të lidhura