zoom

Slider

Bulku i bën thirrje presidentit Begaj: Kemi 4 djem të talentuar, duhet t’i pajisim me pasaporta

Shqipëria U-19 përmbylli ndaj Turqisë testet miqësore për këtë vit, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese të raundit të parë për Kampionatin Europian për këtë grupmoshë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku mori një barazim dhe një humbje përballë përfaqësueses turke.

“Duke parë dy ndeshjet përpara Turqisë, ato ndaj Azerbajxhanit, skuadra u paraqit shumë më ndryshe. Një skuadër me grintë dhe që luftoi përballë një kundërshtari që kualifikohet gjithmonë në Elite Round. Dihet forca e Turqisë, por ne bëmë një paraqitje shumë të mirë. Ndeshjen e parë mund ta kishim fituar me pak kujdes, por edhe barazimi është mjaft i mirë. Morëm ato sinjale që prisnim nga çunat”, u shpreh trajneri Bulku.

Tekniku kuqezi bën gjithashtu thirrjen ndaj shtetit dhe Presidencës shqiptare për të pajisur me pasaporta katër futbollistë shqiptarë që janë pjesë e rëndësishme e këtij ekipi.

“Mendoj që me 90% skuadra do të jetë e njëjta. Për momentin po presim që të pajisen me pasaporta katër futbollistë që janë pjesë e rëndësishme e grupit tonë. Shpresojmë edhe në bashkëpunimin e shtetit dhe Presidencën që t’i pajisim këta djem me pasaporta brenda muajit nëntor, që të jenë të gatshëm për t’u angazhuar në eliminatoret e Kampionatit Europian. Kemi formuar një grup ku mendojmë që mund të përballojmë me sukses ndeshjet e Europianit ku do të bëjmë të pamundur që të kualifikohemi. Do të jemi të kujdesshëm që ta përgatisim skuadrën shumë mirë nga ana psikologjike dhe taktiko-fizike”, tha Ervin Bulku. /zoom.al/