Aplikacion
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dëshmia e dhënë në polici nga Laureta Buçpapaj, bashkëshortja e Gazment Buçpapaj, i shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së Egli Pashollari në Tiranë.
Sipas deklarimeve të saj, ngjarja ka nisur pas përfundimit të orarit të punës, rreth orës 15:05 të datës 20 shkurt 2026. Çifti po lëvizte me një automjet tip “Audi”, i drejtuar nga Gazment Buçpapaj, në zonën e rrugëve “Ylbere Bylykbashi” dhe “Kongresi i Lushnjës”, kur u përfshinë në një situatë tensioni në trafik me një automjet tjetër me ngjyrë gri.
Laureta Buçpapaj ka pohuar se drejtuesi i mjetit tjetër po lëvizte ngadalë dhe i kishte bllokuar rrugën. Bashkëshorti i saj i kishte rënë borisë për ta sinjalizuar, ndërsa nga makina tjetër kishin ardhur ofendime të rënda verbale. Çifti, sipas saj, nuk kishte reaguar dhe kishte vijuar rrugën.
Megjithatë, pak më vonë, e njëjta makinë u shfaq sërish përpara tyre dhe ndaloi papritur. Nga automjeti zbriti shoferi, një i ri rreth 30 vjeç, i shoqëruar nga dy persona të tjerë. Në këtë moment, edhe Gazment Buçpapaj doli nga makina dhe mes palëve nisi një përplasje fizike.
Gruaja e të dyshuarit ka deklaruar se edhe ajo ka dalë nga automjeti dhe ka tentuar të ndërhyjë, duke shtyrë personat e përfshirë. Pas disa çastesh, ajo ka vënë re se drejtuesi i mjetit tjetër ishte gjakosur, ndërsa bashkëshorti i saj e ka kapur nga krahu dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, policia ka konstatuar se rreth 50 metra më larg çifti ka braktisur automjetin dhe është larguar në këmbë drejt Rrugës së Kavajës. Më pas, ata kanë marrë një taksi dhe janë kthyer në banesën e tyre në zonën e Sharrës.
Në dëshminë e saj, Laureta Buçpapaj ka treguar se në banesë bashkëshorti ka ndërruar rrobat dhe është larguar më pas në këmbë, pa marrë me vete telefonin celular. Ajo ka theksuar se që nga ai moment nuk ka më dijeni për vendndodhjen e tij.
Gruaja ka shtuar gjithashtu se nuk e ka parë drejtpërdrejt momentin e goditjes fatale, por dyshon se bashkëshorti mund të ketë përdorur një mjet prerës, të cilin, sipas saj, e mbante në automjet./ Zoom.al