zoom

Lajme

Bordi i Paqes/ Shtëpia e Bardhë “zhduk” takimin Rama-Trump nga videoja zyrtare

Bordi i Paqes/ Shtëpia e Bardhë “zhduk” takimin Rama-Trump nga videoja zyrtare

Shtëpia e Bardhë ka publikuar pamjet e plota nga takimi i presidentit amerikan Donald Trump me përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse në Bordin e Paqes, por në versionin zyrtar të videos mungon momenti i takimit mes tij dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Në këtë takim ndërkombëtar ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shfaqet qartë në pamjet e publikuara duke shtrënguar duart me presidentin amerikan në fund të fjalimit të tij.

Pamjet e publikuara nga Shtëpia e Bardhë tregojnë se Trump ka zhvilluar takime të shkurtra dhe formale me liderët që iu bashkuan nismës së Bordit të Paqes. Megjithatë, ndryshe nga rastet e tjera, në minutat përmbyllëse të videos nuk përfshihet asnjë moment i dukshëm i takimit apo shtrëngimit të duarve me kryeministrin Rama.

Linku i videos: https://www.youtube.com/live/vaPfxaSIc0w?si=CBpw0ioZw9YfV9UB

Edi Rama e ka ndërtuar prej vitesh komunikimin e tij politik mbi idenë e peshës ndërkombëtare dhe të një Shqipërie që “dëgjohet” në tryezat globale. Pjesëmarrja në forume si Bordi i Paqes është përdorur shpesh si provë e këtij ndikimi.

Por mungesa e momentit Rama–Trump në pamjet zyrtare krijon një kontrast mes narrativës së brendshme dhe realitetit diplomatik të transmetuar nga Uashingtoni. Nëse prania e Ramës do të kishte një peshë të veçantë politike për administratën amerikane, kjo do të reflektohej edhe në komunikimin vizual, ashtu siç ndodhi me Osmanin.

Shtëpia e Bardhë, përmes montazhit përfundimtar, duket se ka zgjedhur të theksojë disa marrëdhënie dhe të relativizojë të tjera./ Zoom.al

Postime të lidhura