zoom

Bota

Financial Times: Bordi i Paqes për Gazën ka zero para!

Financial Times: Bordi i Paqes për Gazën ka zero para!

Një fond i krijuar nga Banka Botërore për “Bordin e Paqes” të Donald Trump nuk ka marrë ende asnjë financim, pavarësisht premtimeve që arrijnë në rreth 17 miliardë dollarë nga SHBA dhe udhëheqës të tjerë botërorë, raportoi të mërkurën Financial Times, duke cituar katër burime të njohura me çështjen.

“Zero dollarë janë depozituar,” tha një prej burimeve.

Sipas zëdhënësit të bordit, janë marrë disa donacione, por ato janë depozituar drejtpërdrejt në llogarinë e tij në JPMorgan.

Një zyrtar i “Board of Peace” i tha FT se janë krijuar disa opsione për pranimin e fondeve, por deri tani kontribuesit kanë zgjedhur rrugë të tjera.

Ndryshe nga Banka Botërore, llogaria në JPMorgan nuk ka detyrim të raportojë gjendjen financiare për kontribuesit dhe anëtarët e bordit.

Bordi ka deklaruar se do të raportojë financat e tij në një moment që e konsideron të përshtatshëm. Ndërkohë, Maroku ka kontribuar rreth 20 milionë dollarë, të përdorura për zyrën e të dërguarit special për Gazën, Nickolay Mladenov, si dhe për pagat e një komiteti palestinez teknokratik të krijuar për administrimin e Gazës.

Po ashtu, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë 100 milionë dollarë për trajnimin e një force policore në Gaza, por fondet janë aktualisht të ngrira dhe programi nuk ka nisur.

SHBA, nga ana e saj, ka premtuar rreth 1.2 miliardë dollarë për projekte të lidhura me planin, por këto fonde ende nuk janë përdorur. Një këshilltar i Kongresit tha se asnjë nga këto para nuk po menaxhohet nga bordi.

Sipas tij, Departamenti i Shtetit nuk synon që fondet të kalojnë përmes bordit derisa të krijohen mekanizmat e nevojshëm financiarë.

Zëdhënësi i bordit tha se ende nuk janë dhënë kontrata për punime në Gaza, pasi nuk ka ende operacione në terren dhe Hamas nuk është çarmatosur.

Plani fillestar i Trump parashikonte faza të ndryshme, përfshirë çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e forcave izraelite dhe rindërtimin e Gazës, por sipas raportit nuk është bërë asnjë përparim konkret.

Sipas burimeve, mungesa e fondeve dhe e strukturave financiare po pengon edhe fillimin e punës së komitetit në Gaza, ndërsa zyrtarët pranojnë se nuk ekziston ende sistemi i nevojshëm për menaxhimin e ndihmave dhe shërbimeve në terren.

Postime të lidhura