Aplikacion
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot një seancë plenare maratonë, për shkak se në rendin e ditës janë parashikuar raportimet vjetore të institucioneve kryesore të drejtësisë dhe ngritja e dy komisioneve të posaçme, për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.
Seanca përllball për herë të parë në sallën plenare kryetarin e SPAK-ut, Altin Dumani, me kreun e opozitës, ish-kryeministrin Sali Berisha.
Berisha e ka akuzuar vazhdimisht Dumanin se është në shërbim të kryeministrit Edi Rama dhe të bandave të narkotrafikut, si ajo e “Pojave” në Durrës.
Në rend dite janë raportimet e disa prej institucioneve kyçe të drejtësisë. Në foltore pritet të flasin kryeprokurori Olsian Çela që do të paraqesë raportin e Prokurorisë së Përgjithshme për gjendjen e kriminalitetit gjatë vitit 2024, me fokus tek krimet ekonomike dhe zbatimi i ligjit “Antimafia”.
Do të flasë edhe Altin Dumani, kreu i SPAK, i cili do të raportojë mbi veprimtarinë e strukturës gjatë vitit të kaluar, dosjet e bujshme të korrupsionit, si dhe sfidat e hetimeve që përfshijnë zyrtarë të lartë publikë.
Më pas do të raportojë Artur Metani për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, ndërsa seanca do të vijojë me raportimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Berisha përballë Dumanit
Pjesa më e ndjeshme politike e seancës lidhet me faktin se Sali Berisha pritet të jetë në sallë gjatë raportimit të Altin Dumanit, i cili prej muajsh ka drejtuar hetimet ndaj tij dhe familjarëve për çështjen e “Klubit Partizani”.
Kjo është hera e parë që kreu i SPAK përballet drejtpërdrejt me liderin historik të opozitës që pas masës së sigurisë ndaj tij dhe çuarjen e dosjes në Gjykatë.
Seanca pritet të jetë e tensionuar, ndonëse pritet që mazhoranca të kërkojë një debat të kufizuar për të shmangur përplasjet politike që kanë karakterizuar seancat e fundit.
Zgjedhorja dhe Territorialjae
Në fillim të seancës, mazhoranca dhe opozita pritet të votojnë për ngritjen e dy komisioneve të posaçme, atë për Reformën Zgjedhore dhe komisionin për Reformën Territoriale.
Të dyja palët janë dakordësuar për barazinë mes anëtarëve, bashkëkryetarë nga të dy kampet dhe përfshirjen e ekspertizës ndërkombëtare, aty ku do të jetë e nevojshme.
Këto dy reforma konsiderohen kusht për procesin e integrimit europian dhe përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme me standarde më të qarta dhe ndarje administrative më efikase.
Në seancë nuk do të jetë i pranishëm Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, i cili është përjashtuar për dy javë pas përplasjes në seancën e kaluar me kreun e Kuvendit, Niko Peleshi.
Bardhi i ka dërguar një shkresë zyrtare kryetarit të Kuvendit, ku paralajmëron se çdo kufizim i të drejtave të opozitës në debat është “atentat ndaj parlamentarizmit”.
Me ngritjen e komisioneve, raportimet maratonë të institucioneve të drejtësisë dhe praninë e figurave kryesore të politikës dhe sistemit të drejtësisë, seanca e sotme pritet të jetë ndër më të ngarkuarat e këtij sesioni parlamentar. /Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit