zoom

Lajme

Berisha në seancë: Rama i ka futur thikë pas shpine procesit të integrimit europian

Berisha në seancë: Rama i ka futur thikë pas shpine procesit të integrimit europian

Nga foltorja e Kuvendit, kryetari i PD, Sali Berisha hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë në lidhje me politikat fiskale për karburantet, duke i cilësuar ato si “absurde” dhe “cinike” ndaj qytetarëve.

Gjatë fjalës së tij, Berisha kritikoi ashpër propozimin për të ulur akcizën vetëm kur çmimi i naftës të kalojë nivelin 220 lekë për litër, duke e quajtur një masë të pamjaftueshme dhe fyese për fermerët, që sipas kryedemokratit janë “më të varfrit e Europës”.

Berisha tha se qeveria ka braktisur sektorin bujqësor duke hequr subvencionin për naftën në kulmin e krizës së çmimeve.

“Nuk ka akt më absurd se kjo që propozoni sot në Parlament, nuk ka akt më cinik ndaj 30-40% të shqiptarëve, që jetojnë me djersën e ballit. Nuk ka cinizëm më të pashpirt. Vini këtu pasi u keni hequr subvencionin për naftën fermerëve në kulmin e krizës së naftës. Njeri normal në botë që mund të imagjinojë një vendim të tillë nuk ka, përveç atij që e ka kapur tmerri”, tha Berisha duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.

Teksa bëri një krahasim të drejtpërdrejtë me vendet e rajonit dhe Europës, Berisha theksoi se çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në 2.2 euro për litër, më shtrenjtë se në Gjermani ku ishte 2 euro, pavarësisht se pagat në Gjermani janë deri në tetë herë më të larta. “Kjo është politikë shpopullimi, është politikë anti-shqiptare,” deklaroi kryetari i PD, duke akuzuar qeverinë për vjedhje të qytetarëve përmes taksave të larta, të cilat i cilësoi si më të lartat në botë.

Berisha nuk i kurseu akuzat edhe ndaj kryeministrit, ku tha se ky i fundit “është i tmerruar” dhe nuk guxon të paraqitet në seancat parlamentare për t’u përballur me opozitën.

Gjithashtu Berisha e zhvendosi fokusin te çështjet e integrimit evropian, duke akuzuar  mazhorancën se po injoron qëllimisht raportin e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian.

Duke iu referuar votimit për ministren Belinda Balluku, Berisha u shpreh se me atë “votë krimi”, mazhoranca i ka “futur një thikë pas shpine procesit të integrimit evropian të shqiptarëve”.

“Se më mirë mos flisni të paktën. Derisa ai ju braktis, braktiseni. Derisa ai nuk guxon të vijë këtu, s’keni pse e mbroni ju atë mor. Nuk keni pse e mbroni ju atë. Nuk guxon. Refuzon çdo interpelancë. Tani zonja drejtuese e seancës, absurdi më i madh është diskutimi i këtyre problemeve dhe injorimi i raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Lexojeni mirë atë raport dhe del secili nga ju të kuptojë se me atë votë krimi që ka dhënë për Ballukun, i ka futur një thikë pas shpine procesit të integrimit evropian të shqiptarëve”, përfundoikreu demokrat.

Postime të lidhura