Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ky i fundit ka urdhëruar Thesarin e Shtetit të kryejë një pagesë prej 25 milionë eurosh në favor të kunatit të tij. Sipas Berishës, pagesa lidhet me një tender me vlerë totale 75 milionë euro, të pretenduar si projekt për “përmirësimin e inteligjencës artificiale”.
Berisha tha se vendimi për disbursimin urgjent të shumës është marrë për shkak të rrezikut që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të përballet me bllokim apo sekuestrim. Në këtë kontekst, sipas tij, Rama ka urdhëruar Ministrinë e Financave dhe Thesarin që të kalojnë menjëherë lotin e fundit prej 25 milionë eurosh.
Në deklaratën e tij, Berisha e cilësoi këtë veprim si “akt mafioz” dhe theksoi se projekti në fjalë është, sipas tij, i bazuar në falsitet. Ai ngriti gjithashtu shqetësime serioze për sigurinë e të dhënave, duke pretenduar se informacionet personale të qytetarëve shqiptarë janë vënë në dispozicion të kompanive të huaja, në kundërshtim me ligjin.
“Edi Rama ka urdhëruar dy ditë më parë t’iu paguhen kunatit 25 milionë euro nga tenderi për përmirësimin e inteligjencës artificiale, që është fund e krye një falsitet. Pra, imagjinoni, familja Rama merr për tenderin për përmirësimin e inteligjencës artificiale, se plasi inteligjenca artificiale në Shqipëri, 75 milionë euro.
Dhe duke e ditur se AKSHI mund të bllokohet, sekuestrohet, Rama urdhëron Thesarin, urdhëroi financat t’i disbursojnë me urgjencë lotin e fundit të parave të papaguara, 25 milionë euro nga 75. Përveç këtyre, të dhënat, të cilat ligji i ndalon strikt angazhimin e kompanive të huaja në administrimin e tyre, iu janë ofruar edhe kompanive të huaja. Pra, me një akt që shkel çdo ligj dhe çdo parim, çdo e dhënë personale e çdo shqiptari që ka letërnjoftim apo pasaportë, që ka konto bankare, që ka sigurime shoqërore apo ndihmë ekonomike, të gjitha llojet e të dhënave janë eksportuar në duart e grupeve kriminale në mënyrë që ato të mund të programojnë për interesat e tyre. Edi Rama duhet të japë urgjentisht dorëheqjen”, tha Berisha./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit