zoom

Lajme

Berisha flet për qëndresë në Bulevard: Po e kërkon baza, do shkojmë drejt ngujimit

Berisha flet për qëndresë në Bulevard: Po e kërkon baza, do shkojmë drejt ngujimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lënë të hapur mundësinë e një përshkallëzimi të aksionit opozitar, duke përmendur edhe skenarin e një qëndrimi të zgjatur në Bulevard gjatë protestës së paralajmëruar.

Gjatë një diskutimi në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, ai u shpreh se shumë mbështetës të opozitës po kërkojnë që protesta të mos jetë simbolike, por të vijojë deri në arritjen e objektivit politik. Sipas tij, mesazhet që merr nga demokratët janë të qarta: largimi nga protesta nuk duhet të ndodhë pa ndryshim të situatës politike.

Berisha theksoi se kjo qasje duhet të jetë pjesë e një debati më të gjerë me qytetarët opozitarë, duke e paraqitur si një zhvillim që, sipas tij, po imponohet nga baza. Ai e cilësoi këtë si një drejtim drejt të cilit opozita mund të shkojë në mënyrë të pashmangshme.

“Janë më qindra demokratë që më thonë “nuk duhet të largohemi nga bulevardi pa larguar Edi Ramën”. Drejt asaj do shkojmë në mënyrë të pashmangshme. Ky moment duhet të jetë çështje e diskutimit tonë të gjerë me qytetarët dhe popullin opozitar”, tha Berisha.

Deklaratat vijnë në kuadër të mobilizimit për protestën kombëtare të 10 shkurtit, e cila pritet të jetë një nga tubimet kryesore të thirrura nga opozita në këtë periudhë./ Zoom.al

Postime të lidhura