zoom

Bota

BE: Të mbrohen civilët në Lindjen e Mesme pas përshkallëzimit të tensioneve

BE: Të mbrohen civilët në Lindjen e Mesme pas përshkallëzimit të tensioneve

Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka reaguar pas ofensivës së nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit dhe kundërpërgjigjes së Teheranit me dronë dhe raketa.

Përmes një postimi në rrjetin X, Kallas e ka cilësuar situatën si “të rrezikshme” dhe ka bërë me dije se BE-ja po punon për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm. Ajo theksoi se prioritet mbetet mbrojtja e civilëve dhe respektimi i ligjit ndërkombëtar humanitar.

BE-ja po koordinon veprimet me partnerët arabë për të gjetur rrugë diplomatike që mund të ulin tensionet. Po ashtu, rrjeti konsullor i Bashkimit Europian është angazhuar për të ndihmuar largimin e shtetasve europianë nga zonat e rrezikut, ndërsa personeli jo-thelbësor po tërhiqet nga rajoni.

Reagimi i BE-së vjen pas konfirmimit të presidentit amerikan Donald Trump për nisjen e operacioneve ushtarake kundër Iranit, të motivuara nga synimi për të neutralizuar atë që SHBA-ja e konsideron kërcënim nga regjimi iranian.

Analistët paralajmërojnë se pa dialog dhe mekanizma diplomatikë efektivë, rreziku për përshkallëzim të konfliktit mbetet i lartë, ndërsa Bashkimi Europian synon të ruajë stabilitetin dhe të minimizojë pasojat mbi popullsinë civile./ Zoom.al

Postime të lidhura