zoom

Aktualitet

Baza detare e Limionit, Meçollari: Kontratat do zhbëhen! SPAK, 3 herë në zyrën e presidentit Begaj

Ish-drejtuesi i lartë i Forcave Detare të Shqipërisë, Artur Meçollari, ka deklaruar se dy kontratat për bazën detare të Limionit në Sarandë do zhbëhen.

Ai u shpreh se të gjitha pronat e Forcës Detare po hetohen nga SPAK dhe se personat e përfshirë do të dalin para gjykatës.

Artur Meçollari: Janë dy kontrata, një me Ministrinë e Financës për 265 mijë metër katrorë, kjo është kontratë qiraje, është dhe një kontratë koncesionare që është me Ministrinë e Infrastrukturës, është 100% e sigurtë që kontratat do zhbëhen.

Kushdo që ka dyshim mund të lexojë vendimin e Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë është shprehur qartë, janë evidentuar të gjitha shkeljet ligjore. Po marrim kontratën e Marina Limionit, ka dyshime të arsyeshme që është shkelur neni 6 për koncesionet. Shtabi i Përgjithshëm nuk ka bërë studim dhe kontrata e qirasë është lidhur sipas VKM-së 54 kur bëhet fjalë për një pronë që është kompetencë e Presidentit.

Në SPAK janë dy dosje hetimore, dosja me numrin 109 dhe dosja me numrin 108. Janë të përfshira të gjitha pronat e Forcës Detare përveç Sazanit, duke përfshirë bazën e Shëngjinit, bazën e  Kepit të Palit, bazën e Pashalimanit, bazën e Portopalermos, bazën e Sarandës dhe prona e zaptuar nga Porti MBM në Porto Romano prej 5.2 hektarësh.

Në dosjen 108 është baza e Sarandës dhe prona 5.2 hektarësh në Porto Romano. Janë përfshirë 4 çështje në këtë që është 2 kontrata, dorëzimi i bazës dhe prona në Porto Romano.

Në dosjen  109 është e përfshira baza e Shëngjinit, ndërtimi si dhe një procedurë e zhvilluar në vitin 2016 për nxjerrjen nga territori i përhapjes të territorit të 133 hektarëve nga 200 hektarë në bazën e Shëngjinit, Kepit të Palit dhe Portopalermos.

Përveç Sazanit nuk ka asnjë pronë të forcës detare që nuk është në hetim në SPAK.”

Meçollari tha se SPAK dhe BKH ka shkuar 3 herë në zyrën e Presidentit të Republikës teksa shtoi se e përfshirë është dhe ministrja Balluku,

Artur Meçollari: I pari fare është Presidenti i Republikës. Presidentin të Republikës, SPAK dhe BKH i kanë vajtur 3 herë në zyrë. Herën e dytë thoshte nuk mbaj mend se çfarë kam thënë. Pastaj është ish-ministrja e Brendshme Olta Xhaçka, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bardhyl Kollçaku, ministrja Ballaku që në shkelje të ligjit ka miratuar kontratën për Marina Limion në bazën e Limionit duke mos verifikuar sëpari statusin e pronës dhe dhe e dyta është bërë miratimi kur kompania Marina Limion ende nuk ishte regjistruar në QKB.

Ka ushtarakë që kanë vepruar në bazë të urdhrave të ministrave dhe gjeneralëve, ka gjeneralë, admiralë,  kolonelë. Janë 20 celularë të sekuestruar. Janë zyrtarë të nivelit të lartë në Ministrisë e Mbrojtjes.

Postime të lidhura