zoom

Aktualitet

Bastet, në duart e 5 kompanive. Si e përqendroi qeveria biznesin e dyshuar për pastrim parash

Në mars të vitit 2022 Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin vjetor, ngriti me shqetësim faktin se ndërtimi dhe bixhozi ishin dy sektorët kresorë të pastrimit të parave në Shqipëri.

Megjithëse bixhozi u ndalua nga viti 2019, DASH nënvizoi si problematike kazinotë në resortet me 5 yje dhe bastet e paligjshme.

Tani, përveç kazinove dhe lulëzimit të paligjshmërisë në bastet sportive pas operacionit të diskutueshëm “Fundi i Marrëzisë”, Shqipëria do t’i legalizojë sërish bastet, por këtë herë online.

Qeveria Rama e ka marrë tashmë vendimin dhe pritet që licensat t’u jepen 5 kompanive. Të paktën dy prej tyre operojnë aktualisht me kazinotë më të mëdha në Tiranë.

Si kriter për të marrë licensën, kompanitë duhet të kenë një bashkëortak ose aksioner me eksperiencë në 3 vende të zhvilluara dhe një kapital mbi 12 mijë milionë euro. Kriteret e tilla janë vënë për të minimizuar informalitetin.

Në të vërtetë, licensave, tenderave e PPP-ve nuk u kanë munguar ndonjëherë kriteret e forta. Por shpesh kriteret kanë qenë formale apo janë vënë për të përjashtuar nga gara kompani të papëlqyera nga pushteti.

Dy janë shembujt tipik që kriteret vihen vetëm sa për formë:

  • Koncesioni i Rrugës së Kombit iu dha një konsorciumi, pasi kriter që njëra nga kompanitë të kishte mbi 15 vjet eksperiencë në menaxhimin e autostradave. Por sapo koncesioni u fitua, kompania “Crystalist” që e plotësonte këtë kriter, u largua dhe aksionet u mbetën dy kompanive shqiptare “Kastrati dhe Salillari, me 50 % secili, pasi edhe 2 kompanitë e tjera ua shitën atyre aksionet.
  • Aeroporti i Vlorës u fitua po ashtu nga një konsorcium me dy kompani nga Kosova dhe kompania “YDA” nga Turqia e cila ishte e vetmja që plotësonte kriterin e eksperiencës në menaxhimin e aeroporteve. Tani 98 % të aksioneve i ka Behgjet Pacolli që i bleu 40% të turqve me vetëm 4,500 euro. (KLIKO KËTU PËR TENDERIN E AEROPORTIT TË VLORËS)

Ekspertët thonë se shtrëngimi i kritereve nuk do ta ulë informalitetin, përkundrazi, mund ta rrisë atë.
“Duke i shtrënguar kriteret kaq shumë frika ime është se informaliteti mund të vazhdojë të qëndrojë i lartë”, deklaroi sot në një media Artan Shyti.

Por veç kritereve, që ngrenë vazhdimisht dyshime për arsyen e vërtetë të vendosjes së tyre, drafti i qeverisë parashikon që vetëm një pjesë e vogël e fitimit do t’i kalojë sportit, ndryshe nga sa ishte premtuar gjatë diskutimeve për rikthimin e basteve.

Kryeministri Rama e mbrojti planin me kërkesat e presidentit të Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sipas të cilëve, sporti kishte nevojë për fonde, që do të siguroheshin nga legalizimi i basteve.

Në fillim të vitit 2022, Fidel Ylli insistonte që një pjesë e mirë e miliona eurove që do të mblidheshin nga taksat ndaj basteve të ligjshme të shkonin për sportin.

“Të hapen bastet sportive, janë 50 milionë euro që mund të marrë sporti. Sikur vetëm bastet të merrte sporti nuk do duhej asnjë lek nga buxheti i shtetit. Ishin bërë si kërpudha, po atëherë t’i marrë në dorë shteti, sepse baste ka edhe në Itali dhe në Angli edhe kudo”, deklaronte Fidel Ylli në tetor të vitit 2020, teksa vendi vijonte betejën me pandeminë”– deklaronte ai.

Ministria e Financave ka parashikuar se do të grumbullojë rreth 17 milionë euro në buxhet. Pjesa tjetër do t’u shkojë kompanive të basteve. Një pjesë e papërfillshme do të përdoret për sportin.

KOMPANITË E KUMARIT PAS BASTEVE ONLINE?

Në Shqipëri, kompanitë e kumarit janë të pakta dhe ato operojnë kryesisht në Tiranë.

  • Në Mak Hotel Tirana (ish -Sheraton) operon “Royal Eagle Casino”, e Infinity Investment, që zotërohet nga Bledar Sinani dhe austriaku Johannes Weissengruber, ish -pronarë të basteve sportive “APEX”.
  • Tek Tajvani zhvillon aktivitetin “Regency International Casino Tirana”, e Skënderj Sulajt dhe Avni Braçajt.
  • Në hotel Plaza Maritim ndodhet “Grand Casino Tirana” e kompanisë Adria Entertainment, me aksionerë shoqërinë “APEX” (Sinani – Weissengruber me 80 % dhe Kastriot Ndoja me 20 %). Licensa u dha në kundërshtim me ligjin, pais Plaza nuk e kishte marrë ende certifikimin si hotel me 5 yje i një marke ndërkombëtare.
  • Në hotel Mariott, në kullën e stadiumit “Air Albania” operon “Arena Casino”. Edhe kjo kazino vepron në kundërshtim me ligjin, pasi Mariott nuk është certifikuar ende. Për më tepër “Arena Casino” është jashtë strukturës së hotelit.
  • Në Vlorë, një kazino operon në “Maritim Marina Bay Resort & Casino”.

APEX, sipas bilanceve të QKB, ka fituar 44 milionë dollarë në periudhën 2015 – 2018, ose 11 milionë dollarë në vit. Kjo kompani, me emrin e ndryshuar tashmë në “Adria Entertainment”, pritet të jetë njëra prej përfituesve të licensave.

“MARRËZIA” S’KA PËRFUNDUAR

Në tetor të vitit 2018, në një takim me gratë socialiste, kryeministri Rama deklaronte se “mbyllja e lotove do të jetë një dhuratë për çdo familje për Vitin e Ri”.

Në fakt, çdo shqiptar që luajti lloto deri në mbylljen e tyre me ligj, vijoi të lunate pa u trazuar online, nëpërmjet celularit apo pikave të basteve që vetëm sa hoqën logot nga xhamat, por vijuan punën normalisht.
Operacioni “Fundi i marrëzisë” u komentua në fakt si marrëzia e fundit. Por askush nuk e kishte menduar në atë kohë që marrëzia do të vazhdonte 5 vite më vonë.

Sot, ndryshimi i vetëm është se bastet online do të kontrollohen nga pak duar. Dhe përzgjedhjen e këtyre duarve e ka në dorë qeveria, me licensat që do të shpërndajë vetë. /Zoom.al