Aplikacion
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar drejtpërdrejt mazhorancën se po vepron si mburojë politike për Belinda Ballukun, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, ku u shqyrtua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të saj.
Sipas Bardhit, mbledhja u mbyll pa një vendimmarrje përfundimtare, pasi pesë anëtarët socialistë në Këshill, me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama, refuzuan të lejojnë vijimin normal të procesit dhe u rreshtuan në mbrojtje të Ballukut.
Bardhi deklaroi se gjatë mbledhjes, prokurorët e SPAK kanë paraqitur prova konkrete dhe tronditëse që tregojnë se situata penale ndaj Ballukut është rënduar ndjeshëm krahasuar me momentin kur ndaj saj u vendosën masat e para të sigurisë. Sipas tij, SPAK ka sqaruar se masat aktuale nuk garantojnë më mbrojtjen e hetimit.
“Prokuroria ka informuar Këshillin se, nëse fillimisht Balluku rrezikonte një dënim maksimal deri në 10 vite burg, sot, nëse provohen të gjitha akuzat e ngritura, ajo rrezikon deri në 35 vite burg. Kjo tregon qartë se kemi të bëjmë me një situatë shumë më të rëndë penale”, u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se SPAK ka vënë në dispozicion të Këshillit prova se dëshmitarë në këtë çështje janë kërcënuar në dy forma: përmes personave të njohur si “të fortë”, të cilët i kanë kërcënuar me jetë, dhe përmes zyrtarëve të kabinetit të Ballukut, të cilët sipas tij kanë ushtruar presion duke kërcënuar me largim nga puna familjarët e dëshmitarëve, madje duke u ofruar edhe para për të ndryshuar dëshmitë.
Sipas Bardhit, refuzimi i socialistëve për të lejuar arrestimin e Ballukut nuk ka lidhje me procedurën apo prezumimin e pafajësisë, por përbën një akt të pastër mbrojtjeje politike ndaj një zyrtareje të akuzuar rëndë, duke penguar drejtësinë dhe hetimin e plotë të çështjes./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit