zoom

Ekonomi

Bankat “Mëmë”: Fitimet në Shqipëri, më të ulëta se mesatarja e rajonit më 2020

Shumica e grupeve bankare ndërkombëtare raportuan fitime më të ulëta për operacionet në Shqipëri në krahasim me mesataren e vendeve e tjera të rajonit të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) gjatë një vrojtimi që Nisma e Vjenës “Vienna-Initiative” bëri gjatë tremujorit të parë 2021 për aktivitetin kreditues në rajon.

Por sipas rezultateve të anketës, shumica e bankave mëmë e konsideruan tregun shqiptar me potencial të mesëm ose të lartë për aktivitet në të ardhmen.

Bankat mëmë pohuan se, fitimet u përkeqësuan ndjeshëm gjatë gjashtë muajve të fundit deri në mars 2021. Sipas tyre, Shqipëria ka qenë tashmë një nga performuesit më të dobët midis vendeve të CESEE. Të gjitha grupet bankare ndërkombëtare raportuan një vlerë më të ulët nga kthimi i aktiveve për aktivitetin në Shqipëri

Megjithatë, shumica e bankave mëmë e konsiderojnë Shqipërinë si një vend ku tregu ka potencial mbi mesataren dhe pozicionim të kënaqshëm në treg.

Nisma e Vjenës referoi se kërkesa për kredi në Shqipëri u rikuperua ndjeshëm pas shpërthimit të COVID-19, më shumë se mesatarja rajonale, kryesisht për kreditë e korporatave dhe ato hipotekare.

Kushtet e kreditimit mbeten neutrale, përkundër tendencës ende shtrënguese rajonale.

Nevojat për kapital qarkullues patën kontributin më të fortë në kërkesën për kredi gjatë ristrukturimit të huasë.

Përmirësime të mëtejshme në drejtim të kredi-dhënies priten gjatë vitit në vijim, përveç kredisë në bizneset e vogla dhe të mesme.

Standardet e kredisë mbetën të njëjta për të pestin tremujor radhazi, ndërsa mesatarja e CESEE tregoi vijimësi të shtrëngimit të kushteve.

Ndër faktorët e brendshëm, perspektiva e tregut lokal mbeti negative në Shqipëri, në përputhje me trendin rajonal.

Raporti i Kredive me probleme në Shqipëri edhe pse në rënie, mbeti më i larti në rajonin e CESEE, pak mbi 8 për qind në fund të vitit 2020. Të gjitha bankat shqiptare pjesëmarrëse në sondazh morën pjesë në ekzekutimin e skemave të garancisë qeveritare si përgjigje ndaj pandemisë COVID-19.

Bankat shqiptare besojnë se më së shumti huadhënia gjatë pandemisë u mbështet nga fleksibiliteti i trajtimit të NPL-ve, ndërsa masat e tjera ishin më pak të rëndësishme. Pandemia COVID-19 shtyu bankat në Shqipëri të përmirësoheshin në shërbimet dixhitale.

Nisma e Vjenës është një kornizë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendeve në zhvillim të Evropës. Iniciativa u nis në kulmin e valës së parë të krizës financiare globale në janar të vitit 2009.