zoom

Aktualitet

Atentat me eksploziv në qendër të Sarandës, 1 i vrarë

Atentat me eksploziv në qendër të Sarandës, 1 i vrarë

Saranda u trondit nga një shpërthim i fuqishëm në qendër të qytetit, rreth orës 22:50.

Një makinë tip Toyota u hodh në erë në lagjen nr. 3 sapo drejtuesi i saj tentoi ta ndizte. Burime të policisë së Sarandës i thanë Zoom.al se ai humbi jetën në vend.
Viktima është identifikuar si Isuf Jacaj, 58 vjeç.
Ai është babai i 31-vjeçarit Klaus Jacaj, i cili ndodhet në burg për “përkrahje e autorit të krimit”, si pjesëmarrës në ngjarjen e datës 17 korrik 2025 në Sarandë ku Ramadan Zoto plagosi me armë në lagjen nr. 4 shtetasit Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lame nga Kamza.
4 ditë më vonë, më 21 korrik, një person me maskë silikoni vendosi eksploziv tek automjeti i Klaus Jacajt duke e shkatërruar atë plotësisht. Kjo ngjarje nuk është zbardhur ende.
Vetë Isuf Jacaj, që njihej me nofkën “Bushi”, rezulton me precedentë penalë.

Në qershor 2010 ai mbeti i plagosur pas një sherri me sende të forta në lagjen nr.4.

Në tetor 2011 i shpëtoi një atentati me armë zjarri në lagjen nr. 3.

Në korrik 2022 u përfshi sërish në një sherr në lagjen nr. 4, ku u arrestua një person me armë zjarri, ndërsa Jacajt i’u gjet një përforcues grushti dhe u arrestua.

Kohët e fundit Jacaj punonte në turizëm, duke transportuar me skafin e tij turistë drejt plazheve.

Ngjarja e sotme dyshohet se ka lidhje me plagosjen e 17 korrikut të shtetasve Gëzim Hajdaraj dhe Ernes Lame. /Zoom.al

Postime të lidhura