Aplikacion
Arilena Ara dhe Pirro Çako janë tërhequr nga gara në “Kënga Magjike” ku konkurronin me duetin “Zero Gradë”.
Dy artistët ishin konkurrentë të fortë për çmimet kryesore, por nuk do të jenë pjesë e natës finale që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në Pallatin e Kongreseve, teksa ka pasur aludime se fituesi është i përcaktuar.
Ndërsa dy këngëtarët nuk kanë bërë asnjë njoftim lidhur me vendimin e tyre, ka reagur producenti dhe prezantuesi i “Kënga Magjike”, Ardit Gjebrea.
Ai është shprehur se vendimi ka ardhur për shkak se Pirro Çako ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe përsa kohë kënga është duet, rrjedhimisht edhe Arilena Ara s’do të jetë e pranishme,
“Edhe unë jam ftohur, por të paktën nuk do të këndoj. Për fat të keq, edhe Pirro është paqejf dhe për sa kohë që është në duet, më vjen keq që nuk do të jetë ky duet sonte në festival, por sëmundjes nuk ke ç’i bën”, tha Ardit Gjebrea, për të treguar se arsyeja është tërësisht shëndetësore dhe jo se ka fitues të paracaktuar ashtu si është aluduar.