Aplikacion
Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për tre persona të akuzuar për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço, duke i nxjerrë ata nga paraburgimi dhe duke i lënë në masën “arrest shtëpie”. Vendimi u mor për shkak të tejkalimit të afateve ligjore të paraburgimit.
Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bleti Angjo janë liruar nga qelia, ndërsa hetimi dhe procesi gjyqësor ndaj tyre vijon. Ngjarja për të cilën akuzohen ka ndodhur në qershor të vitit 2022 në fshatin Kolanec të Maliqit, ku Martin Çeço u vra dhe trupi i tij u gjet më pas i hedhur në një rezervuar.
Vendimi i Apelit ka shkaktuar reagime të forta nga familjarët e viktimës. Babai i të ndjerit, Nevzat Çeço, u shpreh i tronditur dhe thellësisht i zhgënjyer nga vendimi, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe duke deklaruar se ndjehet i braktisur nga drejtësia.
“S’kam ça të them më. Unë do t’i përvëloj ata që nesër, nuk i lë. Nuk jetoj më unë. Arrest shtëpie lirim janë ata. Mua nuk më dhimbset jeta fare, nuk i le. Ta them troç, nuk i le, le të më arrestojnë po të duan. Do gjej një bidon me benzinë dhe do i djeg. Djali nuk pati as takim me çupën e asgjë. Dy dashnorë në fshat i kishte ajo, pse nuk bëri ndonjë krim te ata, por bëri te djali im. Ata kanë mbjellë drogë aty lart.
Për të zhdukur djalin tim kishin dalë në Maliq dy veta. E hape gojën i kishin thënë, do të zhdukim. Djali im s’kishte faj. Unë do i përvëloj me benzinë të gjithë si familje. I dënuan 25 vite, ia dërguan Tiranës dhe atje thanë që do dënohen me burg të përjetshëm. Tani i liruan fare. Unë nuk i lë pa përvëluar ata dhe kur të mbaroj punë, do i them djalit ‘e realizova planin’. Dhe nuk e bëj veten të më arrestojnë, do vras veten në mes të gjyqit atje”, tha mes të tjerash babai i Martin Çeços.
Më herët, në shkurt të vitit 2025, Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë kishte shpallur fajtorë katër të pandehurit dhe kishte dhënë në total 83 vite burg. Megjithatë, në qershor të po atij viti, Apeli vendosi prishjen e këtij vendimi dhe kthimin e çështjes për rigjykim me një trupë tjetër gjyqësore.
Sipas hetimeve, vrasja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie. Një nga të pandehurat, Martina Pajollari, vijon të mbahet në masën e sigurisë “arrest në burg”./ Zoom.al