zoom

Lajme

Ancelotti: Nuk luajtëm mirë, por shkojmë në finale! Tuchel: Reali ekip cinik, meritonim fitoren

Reali doli i pamposhtur nga transferta gjermane, por kaq nuk mjafton për Carlo Ancelottin, që pak vite më parë e drejtoi këtë ekip dhe u përball me madrilenët në çerekfinale duke humbur.

Tekniku italian u shfaq i mërzitur në konferencë për shtyp, pas asaj që dhanë djemtë e tij:

“Ky barazim është një rezultat i mirë, por kualifikimi mbetet i hapur. Kaluam disa momente të shëmtuara në fillim të ndeshjes. U treguam shumë pasiv në mbrojtje, kishim pak intensitet dhe fituam pak duele. Vuajtëm më shumë në pjesën e parë edhe pse të dy golat i pësuar në pjesën e dytë. Bayern tregoi në këtë ndeshjen nivelin e tyre më të mirë, ne jo.

Toni Kroos? Është e kot të harxhosh fjalë për të, ai është një lojtar i madh. Ai bën gjithçka mirë, assistin për Vinicius shumë pak veta mund ta shohin”, u shpreh Ancelotti, duke bërë në fund edhe një koment në lidhje me paraqitjen jo pozitive të Bellingham:

“Nuk zhvilloi një ndeshje në nivel të lartë. Jo vetëm ai, i gjithë ekipi nuk ishte në nivelin maksimal, por është fundi i sezonit. Gjithsesi, jemi shumë pranë arritjes së një finaleje, në Madrid do të shihni një skuadër në versionin më të mirë”, theksoi Ancelotti.

Në krahun tjetër Bayern krijoi një volum të madh loje, 14 raste, 5 gjuajtje në kuadrat, por barazimi 2-2 i qëndron ngushtë trajnerit Thomas Tuchel, në sytë e tij ekipi meritonte diçka më shumë nga kjo sfidë e parë me Real Madrid:

“Unë mendoj se meritonim të fitonim, pasi krijuam më shumë raste se Real Madrid. Nuk është hera e parë që Reali i dërgon ndeshjet në këtë mënyrë, ata janë një ekip cinik, ata nuk shpërdorojnë rastet që krijojnë. Mbrohen në nivel të lartë. Kundër tyre nuk duhet të bësh gabime, për fat të keq në bëmë dy të tillë. Ne mund të shënonim edhe golin e tretë, por nuk erdhi, sfida e parë u mbyll në barazim. Tani do të luajmë në Spanjë, të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Tuchel. /ZOOM.AL/