zoom

Ekonomi

AKU mbyll furrën e bukës në kryeqytet pas denoncimit, gjobiten dy markete në Durrës e Kukës

AKU mbyll furrën e bukës në kryeqytet pas denoncimit, gjobiten dy markete në Durrës e Kukës

Afrimi i festave të fundvitit ka rritur edhe kontrollet e inspektoriateve të ndryshme, kryesisht atij të ushqimit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, duke iu referuar edhe një denoncimi, ka reaguar menjëherë nëpërmjet strukturave të tij, Drejtorisë Rajonale AKU Tiranë, duke kryer inspektim në një subjekt me aktivitet “furrë buke”, i cili ushtronte veprimtarinë e tij, në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare.

Gjithashtu, në vijim të veprimtarisë për garantimin e sigurisë ushqimore në vend, gjatë kontrolleve të ushtruara në qarqet Durrës dhe Kukës, janë konstatuar mangësi në etiketim në gjuhën shqipe për katër subjekte me natyrë aktiviteti “market”.

Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese vendosi ndërprerjen e aktivitetit për subjektin në Tiranë, si dhe janë marrë masat administrative me “gjobë” për pesë subjektet në vlerën e 550’000 dhe janë bllokuar 87 kg produkte të ndryshme ushqimore, deri në plotësimin e mangësive në etiketim.

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është falënderues ndaj të gjithë qytetarëve, të cilët bëhen pjesë e përpjekjeve dhe e punës sonë për garantimin e sigurisë ushqimore”, njoftoi institucioni. /ZOOM.AL/