Aplikacion
Shkolla 9-vjeçare “Sulejman Rrançi” në Mengël ka reaguar pas aksidentit tragjik, ku humbi jetën 7-vjeçari Algit, që ishte nxënës në këtë shkollë.
Ai ndërroi jetë pasi u përplas nga një automjet në Elbasan, që drejtohej nga regjisori Petri Bozo.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, stafi i shkollës ka shprehur tronditjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të 7-vjeçarit, duke e përshkruar atë si një fëmijë të dashur dhe të pafajshëm që iku shumë shpejt nga kjo botë.

Ndërkohë, Petri Bozo në dëshminë e dhënë te grupi hetimor pas arrestimit ka deklaruar se ka qenë me shpejtësi të ulët në momentin e aksidentit.
“Kam qenë me shpejtësi të ulët për shkak të kufizuesit të shpejtësisë, ‘policit të shtrirë’ në rrugë. Kam përshëndetur një oficer policie që ndodhej aty. Më pas kam goditur një objekt. Nuk e kam parë çfarë ka qenë, kam tentuar të devijoj kur ndjej përplasjen. Kur kam dalë kam parë fëmijën”, tha ai.
Postimi i plotë i shkollës:
Sot zemrat tona janë të thyera…
Një engjëll i vogël, Algit, u largua padrejtësisht dhe shumë herët nga kjo botë, duke lënë pas një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë.
Në korridoret dhe klasat e shkollës sonë sot ndihet heshtja, mungesa e buzëqeshjes së tij të pafajshme dhe e hapave të vegjël që nuk do t’i dëgjojmë më.
Asgjë nuk është më njësoj.
Është tepër e rëndë të pranosh humbjen e një fëmije… një jete që sapo kishte nisur të ëndërronte.
Dhimbja e familjes së tij është dhimbja e të gjithëve ne.
Në emër të gjithë stafit të shkollës, përulemi me dhimbje para kësaj humbjeje të madhe dhe i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së Algit.
Lutemi që Zoti ta mbajë pranë engjëjve të Tij dhe t’u japë forcë njerëzve që e deshën aq shumë.
U prehsh në paqe, Algit… 🕊️
Ti do të mbetesh përgjithmonë pjesë e zemrave tona./ Zoom.al