zoom

Aktualitet

Aksident tragjik në Greqi, humb jetën 16-vjeçari shqiptar

Aksident tragjik në Greqi, humb jetën 16-vjeçari shqiptar

Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën një 16-vjeçari shqiptar në Greqi.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës, rreth orës 03:20, në një rrugë rurale pranë pyllit të Mesopotamias. Sipas mediave greke, në automjetin e përfshirë në aksident ndodheshin pesë persona, katër prej tyre të mitur dhe një i rritur.

Mjeti drejtohej nga një 17-vjeçar, i cili sipas informacioneve paraprake nuk kishte leje drejtimi. Të rinjtë kishin dalë për një shëtitje në zonë, kur për arsye ende të paqarta drejtuesi humbi kontrollin e automjetit.

Si pasojë, mjeti doli nga rruga dhe u përmbys në anë të saj. Goditja rezultoi fatale për një nga pasagjerët, 16-vjeçarin shqiptar, i cili pësoi plagë të rënda.

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën patrullat e policisë dhe ekipet e emergjencës. Adoleshenti u nxor nga automjeti dhe u transportua drejt Spitalit të Përgjithshëm të Kastorias, por pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Katër personat e tjerë që udhëtonin në automjet kanë pësuar dëmtime të lehta fizike./ Zoom.al

Postime të lidhura