zoom

Aktualitet

Agron Shehaj propozoi mbylljen e RTSH-së, reagon Sindikata: Kaloi vijën e kuqe! Të tërhiqet nga deklarata dhe të kërkojë ndjesë

Agron Shehaj propozoi mbylljen e RTSH-së, reagon Sindikata: Kaloi vijën e kuqe! Të tërhiqet nga deklarata dhe të kërkojë ndjesë

Sindikata e Radio Televizionit Shqiptar ka reaguar pas propozimit të Agron Shehaj i cili kërkoi mbylljen e televizionit publik.

Sindikata e RTSH-së shprehet se Agron Shehaj kaloi vijën e kuqe dhe cënoi lirinë e medias në Shqipëri.

“Z. Agron Shehaj nuk mund ta çojë as në mend që të krahasojë median publike me atë private. Misioni i tyre është komerçial, ndërsa i RTSH Radio Televizioni Shqiptar udhëhiqet nga përfaqësimi i të gjitha kategorive sociale në vend”, thuhet në reagim.

Sindikata shprehet se qëllimi i tij është populizëm për të mbledhur vota, por thekson se nuk i shërben lirisë së medias.

Gjithashtu kërkoi që Agron Shehaj të tërhiqet nga deklarata e tij dhe të kërkojë ndjesë.

Deklarata e plotë:

Agron Shehaj E SHKELI VIJËN E KUQE ME MEDIAN

SINDIKATA E RADIO TELEVIZIOINIT SHQIPTAR shpreh indinjatën për përdorimin politik e elektoral, të medias Publike, nga një prej kandidatëve në zgjedhjet Parlamentare.

Propozimi i tij për të larguar nga puna me qindra punonjës, secili i vlerësuar në profesionin e vet, është kalimi i vijës së kuqe dhe cënim i Lirisë së Medias në Shqipëri.

Z. Agron Shehaj nuk mund ta çojë as në mend që të krahasojë median publike me atë private. Misioni i tyre është komerçial, ndërsa i RTSH Radio Televizioni Shqiptar udhëhiqet nga përfaqësimi i të gjitha kategorive sociale në vend.

Deklaratat e z. Agron Shehaj për nivelin e profesionalizmit të RTSh nuk mund të bëhen nga kafeneja apo zyra elektorale e partive.

Qëllimi i tij, dukshëm populizëm për të mbledhur vota nuk i shërben lirisë së medias.

Sindikata Rtsh kërkon reagimin e institucioneve ndërkombëtare dhe drejtpërdrejt OSCE Presence in Albania si organizmi që ka investuar në trajnimin e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, U.S. Embassy Tirana , European Broadcasting Union – EBU dhe KQZ Shqiperi .

Kërkojmë tërheqjen e kandidatit z. Agron Shehaj nga deklaratat kërcënuese për 1046 punonjës të RTSh në të gjithë Shqipërinë, që nga punonjësi i mirëmbajtjes së antenave e deri te trupa e gazetarëve.

Kërkojmë nga z. Agron Shehaj ndjesë publike, në rast të kundërt dyshojmë për qëllime personale të tij duke sulmuar RTSH.

Deklaratë e përbashkët e qindra punonjësve!

Postime të lidhura