Aplikacion
Fluturimi i parë në 2024?
“Në fund të vitit 2024 do të kemi fluturimin e parë”.
Ky ishte premtimi që kryeministri Edi Rama bëri për Aeroportin e Vlorës, gjatë një takimi që pati me turoperatorët në këtë qytet, pikërisht në nëntor të vitit 2022.Megjithatë në qershor 2024, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e hodhi poshtë këtë deklaratë.
Në një video të publikuar në rrjetin social Facebook, zv.Kryeministrja shprehej se fluturimet në Aeroport, do të mund të nisnin në pranverën e vitit 2025. Në të njëjtin material, Selma Pagria, drejtoresha e Aerodromeve pranonte se rrugët e shërbimit të parashikuara në projekt, janë realizuar në vetëm 60%.
Ndërsa një kontroll në vetë faqen zyrtare në këtë rrjet të Aeroportit, nxjerr në pah se punimet në 5 muajt e fundit kanë ndjekur të njëjtin ritëm, ndaj afati për udhëtarët e parë është shtyrë në pranverën e vitit 2025.
Por ky nuk është i vetmi fakt që nuk korrespondon me retorikën politike, por as edhe me procedurat zyrtare të ndjekura për këtë projekt.
Investim privat, por me garanci shtetërore
87 milionë dollarë, kjo ishte kostoja e parashikuar nga qeveria shqiptare, sipas tenderit për dhënien me koncension për “projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”.
Në vitin 2021 kur u njoftua ambicia për një aeroport “më të madh sesa ai i Rinasit”, ministri i Infrastukturës i asokohe, Damian Gjiknuri tha se “projekti do të jetë tërësisht me financim privat.”
Por në shtojcën tre të kontratës, thuhet se qeveria shqiptare ka marrë përsipër riskun t’i garantojë konsorciumit rreth 132 milionë euro të ardhura të sigurta në 10 vitet e para nga trafiku i pasagjerëve nëpërmjet buxhetit të shtetit.
Financiarisht deklarata e Gjiknurit se investimi është i gjithi privat nuk qëndron, kjo për shkak se nëse koncensionari nuk e realizon trafikun e parashikuar, diferenca do të bjerë mbi supet e qytetarëve shqiptarë.
Dhe sa janë mundësitë që diccka e tillë të ndodhë?
Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një Aeroport të ri, për të cilin ende nuk ka një bazë të dhënash dhe që po ndërtohet në një zonë të gjelbër, pra të papërdorur më parë, rreziku është i mundshëm.
Por paratë kanë filluar të dalin nga buxheti i shtetit ende pa u bërë fluturimi i parë.
Tendera publikë për nevojat e projektit
Për shkak se Aeroporti do të shtojë nevojën për energji elektrike në zonë, Operatori i Sistemit të Transmetimit hapi një tender me fond limit 427 milionë lekë, për ndërtimin e një nënstacioni të ri elektrik në zonën e Akërnisë, si dhe zhvillimin e linjës 35 kV Akërni – Aeroporti i Vlorës. Oferta e përzgjedhur si fituese ishte ajo e kompanisë 4AM me 4.1 milionë euro.
Vetë OST specifikon se procedura prokuruese u hap pasi gjendja aktuale e rrjetit të tensionit të mesëm 35kV në zonën bregdetare që furnizon nëntacionet midis rajonit Akërni – Aeroport – Vlorë ka pasur problematika të vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike në periudhat e ngarkuara të stinës së verës.
Por as ky nuk është do të ishte i vetmi tender që i bashkangjitej nevojës së Aeroportit.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime hapi vetëm një muaj më vonë tenderin për sistemin e furnizimit me ujë të Aeroportit, i cili u fitua nga kompania Fusha SHPK me një ofertë prej rreth 43 milionë lekësh pa TVSH.
Procedura e tenderit u zhvillua me pjesëmarrjen e vetëm dy kompanive, çka ngjalli shqetësime për mungesë konkurrence pasi fituesi ka pasur ofertën më të lartë.
Vende pune, por pa paga!
Angazhimi për Aeroportin e Vlorës ka nisur që në 2021, por duket se premtimi i qeverisë për të hapur 1500 vende pune, nuk ka shkuar plotësisht siҫ synohej.
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), tregojnë se mesatarja e punëtorëve të regjistruar gjatë periudhës dyvjeçare të deritanishme është më pak se 6.
Ndërkohë vetëm dy muaj më parë, më 19 shtator 2024, dhjetëra punonjës të Aeroportit protestuan për shkak se nuk ishin paguar për punën e tyre.
Ata u bënë bashkë për të mbyllur hyrjen në kantier, në shenjë revolte ndërsa kërkuan që t’ju jepeshin paratë ose nuk do të ktheheshin më në punë.
Kjo situatë është pranuar publikisht edhe nga vetë përfaqësues të Aeroportit të Vlorës, megjithatë sipas tyre, problemi ka qenë mes nënkontraktorit dhe disa punonjësve të tij. Sa i përket zhvillimit ekonomik të zonës, duket se modele të ngjashme suksesi mungojnë.
Në një artikull të vitit 2020 të Businnes Standard, thuhet se tentativat për të siguruar të adhura dhe fitim nga Aeroporte që ndërtohen në fusha të gjelbra, kanë dështuar.
Rastet e aeroportit “Greenfield” dhe “Hyderabad” në Bangalore, provuan se sfida kryesore në modele të tilla është arritja e krijimit të një lidhjeje të qëndrueshme me qendrën e qytetit, gjë që duket se ende nuk është realizuar në projektin e Vlorës.
Aeroporti i Vlorës ose flamingot
Por ndoshta gënjeshtra më e madhe e këtij projekti do të niste që në krye të herës, kur qeveria tentoi ta fshihte faktin se Aeroporti i Vlorës do të ndërtohej në fushën e Akërnisë, e cila ndodhet në brendësi të Peizazhit të Mbrojtur “Vjosë-Nartë” e për pasojë, sipas ligjit shqiptar lejimi i ndërtimit në këtë zonë kërkon procedura shumë strikte.
Ndaj pretendimi se projekti nuk dëmton zonën e mbrojtur të Nartës dhe flamingot, është i rremë.
Që nga nisja e punës, të paktën 44 organizata kombëtare dhe ndërkombëtare i kanë kërkuar qeverisë shqiptare të anulojë projektin për ndërtimin e aeroportit.
Në një raport të bërë publik më 21 nëntor, Euronatur, Fondacioni për Ruajtjen e Natyrës në Europë, ngre shqetësime serioze se në fakt, ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe vizioni për ta transformuar këtë strehë biodiversiteti në një qendër turizmi, do të shkatërrojë habitatet për qindra shpendë, por jo vetëm.
“Rishikimi i kufijve të zonave të mbrojtura ka sjellë të tjera ndryshime negative që prishin ekuilibrin ekologjik të shpendëve, mes të cilëve edhe Pelikani Dalmat si dhe flamingot elegante.”
Në raport dilet në përfundimin se qeveria shqiptare, nuk i ka kryer të gjitha studimet e nevojshme para nisjes së punës e cila ndër të tjera filloi ende pa u marrë ligjërisht leja e ndërtimit, pasi kjo zonë është shtëpi për dhjetëra specie që rrezikojnë zhdukjen, mes tyre White-headed Duck, Ferruginous Duck dhe The Greater Spotted Eagle.
E ndërkohë që pretendimi i qeverisë së zhvillimi ekonomik do të vlejë për të nxjerrë zonën nga varfëria, me faktet e deritanishme nuk rezulton të jetë i vërtetë, rreziku për të shkatërruar një ekosistem jashtëzakonisht vital që garanton mbijetesën e specieve të rralla, ka nisur të shfaqë shenjat e para.