zoom

Aktualitet

A janë universitetet e Kinës vërtet më të mirat në botë?

A janë universitetet e Kinës vërtet më të mirat në botë?

Indeksi prestigjioz i “Nature” thotë po

Një dekadë më parë, revista shkencore Nature nisi të numëronte kontributet e studiuesve nga institucione të ndryshme në artikuj të botuar në një grup prej 145 revistash të njohura. Kur u publikua për herë të parë Indeksi i Nature në vitin 2016, Akademia Kineze e Shkencave (CAS) u rendit e para, por institucionet amerikane dhe evropiane dominonin në dhjetëshen e parë. Harvard ishte i dyti, Stanford dhe MIT në vendin e pestë dhe të gjashtë; Qendra Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore (CNRS) dhe Shoqëria Gjermane Max Planck ishin përkatësisht e treta dhe e katërta; Oksfordi dhe Kembridg ishin në vend të nëntë dhe të dhjetë (vendin e shtatë dhe të tetë e mbanin përkatësisht Shoqata Helmholtz e Qendrave Gjermane të Kërkimeve dhe Universiteti i Tokios).

Por me kalimin e kohës, renditja ka ndryshuar. Në vitin 2020, Universiteti Tsinghua në Pekin hyri në dhjetëshen e parë. Deri në vitin 2022, Oksfordi dhe Kembridg kishin dalë nga lista, të zëvendësuar nga dy rivalë kinezë. Në vitin 2024, vetëm tre institucione perëndimore mbetën në dhjetëshen e parë: Harvard, CNRS dhe Max Planck. Këtë vit, Harvard është në vend të dytë dhe Max Planck në të nëntin. Tetë nga dhjetë të parat janë kineze.

Ky ndryshim pasqyron një përmirësim real dhe të shpejtë në kapacitetet kërkimore të Kinës. Gjatë dekadës së fundit, vendi ka rritur shpenzimet për kërkime dhe zhvillim me rreth 9% në vit në terma realë. Në vitin 2023, duke marrë parasysh fuqinë blerëse, Kina shpenzoi më shumë se sa Amerika dhe Bashkimi Evropian së bashku për kërkim dhe zhvillim të financuar nga qeveria dhe institucionet e arsimit të lartë. Po ashtu, vendi ka tërhequr shumë studiues kinezë që më parë punonin jashtë shtetit, një grup i njohur si haigui (“breshkat e detit”), një homofon për “të kthyer nga deti”.

Gjithë kjo ka dhënë rezultat. Kina tani boton më shumë artikuj me ndikim të lartë (pra, ata që hyjnë në 1% më të cituarit) sesa Amerika ose Evropa. Në fusha si kimia, inxhinieria dhe shkenca e materialeve, vendi tani konsiderohet si lider botëror. Kina prodhon gjithashtu një sasi të madhe kërkimesh cilësore në shkencat kompjuterike. Universiteti Zhejiang, që renditet i katërti në indeksin e vitit 2025, është vendi ku ka studiuar Liang Wenfeng, themeluesi i kompanisë së përparuar të inteligjencës artificiale në Kinë, DeepSeek.

Megjithatë, mënyra si krijohen këto renditje u përshtatet pikërisht forcave të Kinës. Revistat e përfshira në indeks janë përzgjedhur për të përfaqësuar kërkimin më të lartë në shkencat natyrore, me përbërjen që ndryshohet herë pas here për të pasqyruar zhvillimet në fusha të caktuara. Rritja e numrit të publikimeve në revista të kimisë dhe shkencave fizike ka bërë që pesha e tyre në indeksin e vitit 2025 të arrijë pak mbi gjysmën. Ndërsa revistat e shkencave shëndetësore dhe biologjike – fusha ku dominimi mbetet perëndimor – përbëjnë vetëm 20% të indeksit.

Po ashtu, qendrat kërkimore të Kinës bien ndjeshëm në renditje kur analizohen vetëm studimet e publikuara në Nature dhe Science, dy revistat që konsiderohen më prestigjiozet. Vetëm CAS është afër majës së kësaj renditjeje, në vendin e katërt.

Vëzhguesit duhet të trajtojnë këto renditje me kujdes. Edhe pse Indeksi i Nature është një mjet i dobishëm për të matur fuqinë shkencore të një institucioni apo vendi, ai mbetet i paplotë. Shumë kërkime me vlerë botohen në revista të një niveli më të ulët, dhe shpikje që ndryshojnë botën nuk vijnë gjithmonë nga institucionet me renditje të lartë. Megjithatë, universitetet Zhejiang, Peking dhe Tsinghua, së bashku me CAS, e kanë fituar me meritë vendin e tyre mes më të mirëve në botë. /The Economist – Përgatiti në shqip Zoom.al

Postime të lidhura