zoom

Lajme

A i është hequr non grata? Reagon Sali Berisha

A i është hequr non grata? Reagon Sali Berisha

Kryetari i PD, Sali Berisha reagoi pas postimit të gazetarit amerikan Marc Caputo, i cili deklaroi se DASH ka konfirmuar që Berisha mund të udhëtojë në SHBA, pavarësisht vendimit për non grata.

Berisha falënderoi Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio dhe presidentin amerikan, Donald Trump.

Berisha gjithashtu deklaroi se nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare nga DASH dhe se nuk ka aplikuar për vizë amerikane që pas largimit nga detyra si kryeministër.

“Non grata është një vendim politik, i dënuar sot nga vetë ata që e shpallën. Ky është dënimi i atij vendimi”, shtoi ai.

I pyetur nëse planifikon të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara, Berisha u shpreh se aktualisht ndodhet në kulmin e fushatës zgjedhore dhe se një udhëtim i tillë do të pritej në një moment më të përshtatshëm.

Deri tani, Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka publikuar ndonjë deklaratë zyrtare që përmbysë shpalljen “non grata” ndaj Sali Berishës.

Berisha: Lajm rajonal i Shqipërisë, por dhe në botë, është lajmi në të cilin DASH i SHBA-së i drejtuar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shpreh qëndrimin e tij në përgjigjen e dhënë një gazetari të njohur, se ai nuk përkrah dhe nuk mbështet vendimet politike, apo qëndrimet politiziuese të administratës së Biden, në këtë rast për Sali Berishën.

Në këtë mënyrë DASH jep përgjigjen më të fuqishme atyre përpjekjeve që u bënë për një Shqipëri pa opozitë nga Edi Rama në mendësinë e etërve të tij, Xhorxh Soros dhe Antoni Blinken.

Ky vendim i një rëndësie të madhe, shkëputjes dhe mospranimit të vendimeve politizues, përpjekjeve të administratës së mëparshme që për shkak të lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe Sorosit, të ndëshkonin opozitën konservatore, përfunduan njëlloj si ai firmosi, aty ku e kanë vendin.

Me këtë rast, unë falënderoj DASH, sekretarin Rubio, administratën e re dhe presidentin Trump për këto qëndrime jashtë zakonisht të rëndësishme, kundër vendimeve të ekstremit të majtë, kundër vendimeve të ekstremit të majtë, kundër vendimeve të forcave antidemokratike, të majta në Shqipëri dhe kudo në botë.

Ky vendim është gjithashtu një shpërblim i madh për të gjithë ata demokrate e demokratë që në kushtet më të pazakonte qëndruan për kauzën e drejtë, qëndruan për të vërtetën, e cila vonon, por nuk harron.
Ky vendim nxjerr edhe njëherë para shqiptarëve dhe botës, fytyrën e shëmtuar të atyre që morën përsipër një akt të tillë, që vendimet politike të godisnin opozitën konservator në Shqipëri.

Kur do të udhëtoni drejt SHBA?

Berisha: Unë vendimin e mora vesh mbrëmë, në të njëjtën kohë që e morët vesh dhe ju. Nuk kisha ndonjë plan për udhëtim dhe natyrisht nuk mund të them se do të udhëtojë këto 2-3 ditë sepse janë ditët e kulmit të fushatës. Sigurisht në një kohë më të përshtatshme do kisha shkuar, por ky vendim nuk humbet vlerë, është një vendim jashtëzakonisht i çmuar.

A keni marrë përgjigje nga DASH?

Berisha: Nuk kam marrë asnjë përgjigje nga DASH.

A ju është hequr non grata?

Berisha: Pyetja është se, non grata është konsideruar vendim politik, është dënuar, ky është dënim i atij vendimi. Se është tjetër kur shqyrtohet dhe kjo apo ai qëndrim, por është shpallur; vendime të politizuara të administratës Biden, është paekuivok. Pra është e pashpresë.

A keni aplikuar për vizë?

Berisha: Unë të kërkoj vizë? Jo nuk kam kërkuar vizë. Unë nuk kam kërkuar vizë, pasi kam lënë detyrën e kryeministrit, në mos gabohem, asnjëherë./ Zoom.al

Postime të lidhura