Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se do të votonte heqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku, në rast se një kërkesë e tillë do të paraqitej nga SPAK në Kuvend.
Në një prononcim për mediat, Berisha theksoi se Partia Demokratike është kundër çdo forme imuniteti kur bëhet fjalë për çështje korrupsioni. Sipas tij, mbrojtja me imunitet pengon drejtësinë dhe luftën ndaj korrupsionit.
“Ne jemi kundër çdo lloj imuniteti për efekt të korrupsionit. Në vitin 2012 kam qenë personalisht iniciator i një amendamenti që synonte heqjen e çdo kufizimi për prokurorinë në hetimin e korrupsionit. Ai qëndrim ka qenë i drejtë, sepse nëse do të ishte miratuar, sot nuk do të ishim në një situatë ku korrupsioni nuk luftohet,” u shpreh Berisha.
Kryedemokrati kritikoi gjithashtu vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e masës së pezullimit, duke pretenduar se kjo u ka dhënë mundësi kryeministrit Edi Rama dhe ministres Balluku të shkatërrojnë provat.
Sipas Berishës, situata kërkon reagim të qytetarëve, duke theksuar se “është koha të flasë sovrani”./ Zoom.al