Aplikacion
Agjencia prestigjioze e lajmeve, Reuters ka zbuluar se Alabbar do të bashkëpunojë me Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit Donald Trump, në projektin që kompania e tij Affinity Partners ka për të bërë një hotel luksoz në Beograd.
“Bashkëpunimi i tyre nuk është raportuar më parë”, shkruan Reuters.
Agjencia ka pyetur edhe Alabbar për këtë çështje dhe ai e ka konfirmuar bashkëpunimin me Kushner.
Lidhur me Serbinë, miliarderi Emiratet tha se ai “i shikonte bashkëpunimet me Kushnerin pozitivisht” dhe ishte “shumë i emocionuar për më shumë zhvillime të nivelit të lartë në treg”. Ai nuk dha detaje se çfarë do të përfshinte partneriteti.
Kushner i tha “Reuters” muajin e kaluar se ishte në bisedime për të investuar në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, për të transformuar ndërtesën e ushtrisë, por tha se marrëveshja ishte në negociata dhe mund të mos ndodhë.
Një person i njohur me planet e Kushnerit në Serbi tha se Alabbar ishte i përfshirë në rizhvillimin si këshilltar dhe ishte shumë herët për të thënë nëse Emiratet do të investonin gjithashtu në të.
Zbulimi i bashkëpunimit vjen në një kohë kur Jared Kushner ka bërë të ditur se ai ka në plan që bashkë me Beogradin të investojë edhe në Shqipëri, në dy projekte luksoze për ndërtimin e resorteve turistike; 1 në ishullin e Sazanit dhe 1 në Zvërnec.
Planet e Kushnerit për të investuar në Serbi u shfaqën në mes të marsit, kur një ligjvënës i opozitës, Aleksandar Jovanoviç, publikoi dokumente që tregonin se autoritetet serbe kishin përgatitur terrenin për një partneritet të pasurive të paluajtshme me biznesmenin amerikan, konkretisht godina e vjetër e Shtabit të ushtrisë serbe. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se një partneritet ishte në diskutim.
I pyetur nga “Reuters” muajin e kaluar, nëse projekti i Beogradit ishte lehtësuar nga lidhjet që ai bëri gjatë kohës së tij si këshilltar i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Kushner tha: “Askush nuk po më ‘më jep’ marrëveshje speciale”.
Përsa i përket Shqipërisë, Kushner ka bërë të ditur se është në negociata intensive me qeverinë shqiptare, por ato nuk janë përmbyllur ende.
Pak detaje janë dhënë nga projektet në Shqipëri dhe nuk është ende e qartë nëse në Sazan ai do të bashkëpunojë me Mohamed Alabbar, i cili po ndërton Marinën e Durrësit, një projekt 2.2 miliardë dollarë mjaft i diskutueshëm.
Alabbar ka marrë përsipër edhe projektin multi-miliardësh të “Belgrade Waterfront”, por edhe pse punimet kanë nisur prej afro 10 vjetësh, ato nuk janë përmbyllur dhe vetëm një përqindje e vogël është realizuar. Shumë ekspertë e konsiderojnë atë një dështim, çka ka rritur dyshimet se ai mund të mos mbyllë edhe investimin në Portin e Durrësit. /ZOOM.AL/