Aplikacion
Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin artistik Stresi, ka komentuar për herë të parë rolin e tij të ri në Partinë Demokratike, pasi u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj force politike.
I ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, Stresi deklaroi se angazhimi i tij në PD nuk është simbolik, por sipas tij ai vjen në parti me ide dhe strategji konkrete. Reperi theksoi se lidhja e familjes së tij me demokratët daton që nga fillimi i viteve ’90 dhe se ai vetë është rritur me bindje të djathta politike.
“Vij me strategji, jam strateg. Familja ime ka qenë pjesë e Partisë Demokratike që në vitin 1991. Edhe unë jam rritur me këto ideale dhe nuk i kam tradhtuar asnjëherë”, u shpreh ai gjatë intervistës.
Stresi e cilësoi veten si një “spartan” të PD-së, duke shtuar se nuk ka bërë kurrë kompromis me bindjet e tij politike, pavarësisht njohjeve dhe miqësive që ka me persona të krahut tjetër politik.
Gjatë bisedës, reperi ndau edhe një episod me Noizyn, me të cilin tha se ruan marrëdhënie të mira pavarësisht diferencave politike. Sipas tij, të dy kishin vendosur bast për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
Ai tregoi se basti ishte 100 euro dhe se fitues kishte dalë Noizy, i cili njihet si mbështetës i kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, Stresi shtoi me humor se pasi ia dha paratë, i kërkoi t’ia kthente, pasi sipas tij zgjedhjet ishin vjedhur.
“Me Noizyn bëjmë shpesh shaka për politikën dhe nuk kemi probleme për këtë pjesë. Kemi vendosur bast për zgjedhjet dhe fitoi ai. Kur ia dhashë lekët, i thashë të m’i kthente sepse zgjedhjet janë vjedhur”, tha reperi.
Në deklaratën e tij, Stresi la të kuptohej se mund të kishte edhe ambicie më të mëdha politike në të ardhmen. Ai u shpreh se nëse do të bëhej deputet, do të ishte një figurë që sipas tij “nuk do ta përballonin”, duke shtuar se njeh shumë prapaskena nga politika shqiptare.
“Nëse do të bëhesha deputet, nuk do të më përballonin. Unë di shumë gjëra, edhe që nuk dihen. Kam miq socialistë, por në fund nuk bëjmë kompromis”, u shpreh Stresi./ Zoom.al