Aplikacion
Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit nuk prodhuan një marrëveshje për uljen e tensioneve mes dy vendeve.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se pala iraniane nuk pranoi kushtet e vendosura nga Uashingtoni.
Ai theksoi se gjatë 21 orëve të bisedimeve, SHBA ka mbajtur qëndrim të qartë mbi “vijat e kuqe”, ndërsa Irani nuk ka dhënë garanci për armët bërthamore.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka deklaruar se nuk kishte pritshmëri reale që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit të arrinin menjëherë një marrëveshje përfundimtare gjatë bisedimeve të fundit.
Sipas tij, takimet janë zhvilluar në një atmosferë të rënduar nga mosbesimi, dyshimi dhe pasiguria, pas një periudhe tensionesh të zgjatura.
Baqaei gjithashtu i bëri thirrje Uashingtonit të përmbahet nga “kërkesa të tepruara dhe të padrejta” dhe të pranojë “të drejtat dhe interesat legjitime” të Iranit.
Ai nënvizoi se një marrëveshje në një seancë të vetme nuk ishte një pritshmëri realiste, duke shtuar se “diplomacia nuk ndalet kurrë”.
“Nuk duhej të kishim pritur që në fillim se mund të arrinim një marrëveshje në një seancë të vetme. Nuk mendoj se dikush kishte pritshmëri të tilla”, tha ai.
Edhe kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Ghalibaf, reagoi duke deklaruar se delegacioni iranian ka paraqitur propozime me vizion afatgjatë, por sipas tij pala tjetër nuk arriti të fitojë besimin e Teheranit në këtë raund negociatash. Ai shtoi se Irani do të vijojë përpjekjet për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të konsoliduar arritjet e tij strategjike.
Ghalibaf gjithashtu falënderoi Pakistanin për rolin në lehtësimin e dialogut dhe organizimin e bisedimeve.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Pakistanit bëri thirrje që të dyja palët të respektojnë armëpushimin dhe të vijojnë angazhimin për dialog. Islamabad u shpreh optimist se me një qasje më konstruktive mund të arrihet paqe e qëndrueshme në rajon dhe stabilitet më i gjerë./ Zoom.al