Aplikacion
Policia e Shtetit ka njoftuar planin e masave me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë festave të fundvitit si edhe ditëve të para të Vitit të Ri 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, masat parashikojnë shtimin e pranisë së forcave të policisë me uniformë dhe të Policisë Kriminale në të gjithë territorin, si dhe përforcimin e shërbimeve në pikat e kalimit kufitar. Në PKK do të shtohen sportelet dhe burimet njerëzore për të lehtësuar hyrje-daljet e shtetasve, ndërsa në pikat tokësore do të intensifikohet bashkëpunimi me autoritetet homologe për të shmangur radhët dhe për të garantuar qarkullim të njëtrajtshëm.
Do të rritet kontrolli në kufijtë tokësorë dhe në kufirin e gjelbër, si dhe patrullimet për parandalimin e krimeve kufitare. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe qarkullimit rrugor, me përdorimin e mjeteve inteligjente, dronëve dhe alkooltestuesve, si dhe me shtimin e patrullave të Policisë Rrugore në akset urbane dhe interurbane, me synim uljen e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Policia ka sqaruar gjithashtu se deklaratat për vendosjen e kuotave për masa administrative ndaj punonjësve janë të pavërteta, duke theksuar se nuk ekziston asnjë urdhër për plotësimin e një numri të caktuar gjobash. Masat administrative dhe fushatat sensibilizuese synojnë vetëm garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Plani i masave përfshin edhe bashkëpunimin me pushtetin vendor, institucionet fetare dhe policitë bashkiake për mbarëvajtjen e ceremonive festive, si dhe shtimin e prezencës policore në shëtitore, pedonale, sheshe publike, objekte kulti, lokale, restorante dhe qendra tregtare me frekuentim të lartë.
Gjithashtu, do të intensifikohen kontrollet ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike, do të rritet gatishmëria e shërbimeve në banka dhe institucione financiare dhe do të forcohet bashkëpunimi me shërbimet private të sigurisë për mbrojtjen e objekteve dhe transportin e vlerave monetare.
Ndërkohë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forca e Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo situatë të nevojshme.