Aplikacion
Një përplasje e rëndë fizike ka ndodhur ditët e fundit në burgun e Reçit në Shkodër, ku u rrah Sokol Sanxhaktari, i dënuar me 15 vite burg për vrasjen e Florian Lamçes më 30 korrik 2020 në Elbasan.
Sanxhaktari, i njohur edhe si dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, fillimisht u përfshi në një konflikt verbal me disa gardianë të burgut. Burimet bëjnë me dije se konflikti ka nisur pasi ai ka ofenduar rëndë një punonjës të institucionit, dhe përpjekjet e gardianëve për ta qetësuar situatën nuk dhanë rezultat.
Më pas, në konflikt ndërhyri edhe Safet Bajri, i izoluar në Reç për urdhër të SPAK, i akuzuar për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër. Mes Sanxhaktarit dhe Bajrit u shkëmbyen fyerje dhe ofendime, duke çuar në një përplasje fizike ku përfshihen edhe persona të tjerë të afërt me Bajrin. Si pasojë, Sanxhaktari pësoi dëmtime nga rrahja.
Burimet raportojnë se sherri u favorizua edhe nga kushtet e sigurisë në sektorin përkatës, ku dyert e brendshme të dhomave qëndronin të hapura, duke lejuar lëvizje të lirë mes të dënuarve dhe paraburgosurve.
Pas ngjarjes, Sanxhaktari u transferua në një sektor tjetër të burgut për të parandaluar incidente të mëtejshme, informon JOQ.