Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar, deklaroi se opozita nuk do të ndalet deri sa kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen.
Ai paralajmëroi nisjen e grevave të urisë dhe vazhdimin e demonstratave deri në realizimin e këtij synimi.
Ai theksoi gjithashtu se opozita ka të drejtë morale dhe ligjore për të vepruar, duke iu referuar ligjeve ndërkombëtare që, sipas tij, vërtetojnë se zgjedhjet e fundit janë manipuluar.
“Jemi këtu, jemi në emergjencë, jemi në provën e guximit tonë. Nuk ikën ai. Po nuk u ngritëm ne… Ai do vazhdojë: ‘Unë udhëheqësi i Reformës’. ‘Unë me 84 vota’, që na i vodhi ne. Jo, kësaj radhe do flasim ne. Kjo është prova jonë e madhe. Përsëri, besimi i shqiptarëve është te ne. Sepse po të mos na shihte, nuk na votonte fare, na shuante.
A kemi bërë ne përpjekjen finale për rrëzimin e tij? Jo, nuk e kemi bërë. Kemi bërë shumë protesta. Mirë kemi bërë. Kemi treguar ‘muskujt’. Kemi bërë lëvizje. Nuk ishin ato që e rrëzonin Edi Ramën. Edi Ramën e rrëzon ajo lëvizje që shkon aty dhe nuk shqitet. Dhe ne do e bëjmë këtë lëvizje, me greva, me të gjitha format. Tani jemi me të drejtën e Zotit. Kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i ka dhunuar. Kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i bëri farsë. Kemi përpjekjet e tij të çmendura për të kontrolluar gjithçka në këtë vend”, tha ndër të tjera Berisha./ Zoom.al