zoom

Aktualitet

21 janari/ Familjarët e Aleks Nikës: Dhimbja rëndon, krimi pa autor

Mungesa e drejtësisë për vrasjen e Aleks Nikës bashkë me 3 protestuesit,  Ziver Veizin, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtajn, të cilët u vranë 11 vite më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e ka shtuar dhimbjen për familjarët.

Në këtë 11-vjetor, gruaja e Aleksit, Rajmonda Nika dhe xhaxhai i tij Mark Nika kanë mbërritur në Tiranë ku do të zhvillohen homazhe në nderim të viktimave. Mark Nika thotë se me vete mbartin të njëjtat emocione si ditën kur plumbat i morën jetën Aleksit.

Bashkë me dhimbjen edhe etja për drejtësi është shtuar. Në të njëjtën kohë, sipas xhaxhait të Aleksit, beteja bëhet më e vështirë edhe përballë atyre që duan ta mbyllin çështjen.

“Në vijmë në Tiranë për përkujtimin e Aleksit. Sot pas 11 vitesh janë të njëjtat emocione si ditën kur u vra, s’ka asnjë zhvillim të ri në dosje. Dosja në prokuroi ende s’ka veprime. Kërkojnë ta mbyllin çështjen, por ne nuk do ta lejojmë. Kjo është përpjekja jonë për të rifilluar hetimin që vrasësit të shkojnë para drejtësisë.

Sot ndiejmë të njëjtat emocione, dhimbja rëndon dhe vepron më shumë. Duhet të ishte prioritet i parë i drejtësisë kjo çështje. As fashizmi s’i ka bërë këto krime. Gjejnë justifikme. Ne duam vetëm drejtësi. Çështja t’i kaloje SPAK, SPAK të vihet në funksion”, tha Mark Nika.

“Kërkojmë atë që kemi kërkuar për 11 vjet dhe që s’ka ndodhur. Asgjë e re deri tani pas rihapjes se hetimeve“, shtoi Rajmonda Nika.