zoom

Aktualitet

4 viktima! 11 vjet nga protesta e 21 Janarit

Sot shënohen 11 vite nga protesta e 21 janarit të vitit 2011. Në të mbetën të vrarë 4 protestues, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Më 21 janar humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, para kryeministrisë, në protestën e thirrur nga Partia Socialiste. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, që u dënua nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” .

Pas më shumë se një dekade nga ngjarja, prokuroria e Tiranës rinisi hetimet për 4 viktimat Hekuran Deda, Aleks Nika, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj dhe plagosjen e 6 të tjerëve. Policia dorëzoi në prokurori letër kërkesën, ku u kërkua riekspertim hetimor, një ditë para mbushjes së dhjetë viteve nga ngjarja e rëndë.

Në kërkesat e uniformave blu kërkohej riinspektimi hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes për vrasjen Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, dhe plagosjen e Fatos Mahmatajt, Sokrat Godes, Erald Bisha, Artes Dybelit, lia Qeskos dhe llia Papas. Kërkohej gjithashtu marrja në pyetje efektivëve të Gardës dhe personave pjesëmarrës në tubim, të afërm të viktimave dhe personave dëshmitarë që kanë qenë pranë tyre në momentin e ngjarjes.

Ngjarja e 21 janarit të vitit 2011 është një ndër më të dhimbshmet në vendin tonë. Protestues të shumtë iu drejtuan kryeministrisë duke kundërshtuar rregullat e vendosura nga qeveria. Vendi në atë kohë ishte nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe Garda e Republikës, nën komandën e Ndrea Prendit.

Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika u shpallën “Dëshmorë të Atdheu” në përkujtimoren e 10-të. Si çdo vit edhe këtë 21 janar nuk do të mungojnë homazhet nga familjarët dhe politikanët në vendin ku u vranë protestuesit.