zoom

Art & Kulturë

2 shtatori shpallet Ditë Zie Kombëtare në nder të Dhimitër Anagnostit

2 shtatori shpallet Ditë Zie Kombëtare në nder të Dhimitër Anagnostit

Me vendim të Këshillit të Ministrave, data 2 Shtator 2025 është shpallur Ditë Zie Kombëtare, në nderim të Dhimitër Anagnostit, një prej personaliteteve më të shquara të kinematografisë dhe artit skenik shqiptar.

Dhimitër Anagnosti, mjeshtër i ekranit dhe një figurë e paharrueshme e kulturës sonë kombëtare, la pas një trashëgimi të pasur artistike që do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Në shenjë respekti për jetën dhe veprën e tij, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë flamujt do të ulen në gjysmështizë. Institucionet shtetërore do të zhvillojnë homazhe zyrtare për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të Anagnostit në shërbim të artit dhe kulturës shqiptare.

Vendimi:

Vendimim i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

V E N D I M

PËR

SHPALLJEN DITË ZIE KOMBËTARE NË NDERIM TË TË NDJERIT, DHIMITËR ANAGNOSTI, PERSONALITET I SHQUAR I KINEMATOGRAFISË SHQIPTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikës 12, të kapitullit VI, të ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare të martën, datë 2 shtator 2025, në nderim të të ndjerit, Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare.

2. Në ditën e zisë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

3. Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e martë, datë 2.9.2025, nga ora 10:00 deri në orën 13:00.

4. Në orën 10:00, datë 2.9.2025, në nderim të tij të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje.

5. Radiotelevizioni Publik Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes së homazheve dhe ceremonialit shtetëror, të transmetojë muzikë funebre.

6. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore ngrihet Komisioni i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, i cili në përbërje të ketë:

– Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
– Ministrin e Mbrojtjes;
– Ministrin e Brendshëm;
– Nënkryetarin e Bashkisë Tiranë;
– Drejtorin e Protokollit të Shtetit;
– Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
– Komandantin e Gardës së Republikës së Shqipërisë;
– Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare;
– Përfaqësues nga kabineti i Kryeministrit;
– Përfaqësues nga zyra e shtypit e Kryeministrit.

7. Ngarkohet Protokolli i Shtetit që të krijojë dhe të drejtojë grupin e punës, përgjegjës për ndjekjen dhe zbatimin e masave organizative të homazheve dhe të ceremonialit shtetëror.

8. Shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe të ceremonialit të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Postime të lidhura