zoom

Aktualitet

Zjarret bëjnë namin edhe në Lurë, shkrumbohen dhjetëra hektare me pyje

Zjarret bëjnë namin edhe në Lurë, shkrumbohen dhjetëra hektare me pyje

Prej tre ditësh në fshatin “Gurë Lurë” është aktivizuar një vatër zjarri, e cila ka përfshirë sipërfaqe të mëdha me kullota, pemë ahu dhe pishë të rrallë.

Pavarësisht ndërhyrjes së bërë nga efektivët e shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Dibër, të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, të shërbimit pyjor Dibër dhe banorë të zonës, nuk është arritur që të shuhet vatra e zjarrit e cila deri tani sipas informacioneve nga terreni ka arritur në një sipërfaqe prej 50 ha.

Banorët dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor vijojnë të bëjnë thirrje për ndihmë nga ajri, pasi zjarri po merr përmasa të frikshme për shkak edhe të erës së fortë e temperaturave të larta dhe dëmi në ekonominë pyjore të Parkut Kombëtar “Lurë – Mali Dejës” do të jetë shumë i madh.

Edhe zona e Jugut të vendit dhe veçanërisht qarqet Gjirokastër dhe Vlorë në zonën bregdetare, prej ditësh digjen nga flakët. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura