Aplikacion
Presidenti Donald Trump po përpiqet të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit me Iranin, shkruan CNN.
I dërguari i tij për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë iranianë që pas sulmeve ajrore të SHBA-ve ndaj objekteve bërthamore gjatë fundjavës, sipas dy burimeve të njohura me çështjen.
Megjithatë, përpjekjet diplomatike po përballen me vështirësi serioze. Shkak është mungesa e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.
Zyrtarët amerikanë besojnë se, duke qenë 86 vjeç dhe me pushtet absolut, Khamenei duhet të miratojë çdo vendim të rëndësishëm diplomatik, por komunikimi me të është bërë shumë i vështirë, gjë që ka ngadalësuar apo penguar negociatat.
Khamenei nuk ka publikuar asnjë mesazh të regjistruar që pas sulmeve amerikane. Mediat raportojnë se ai është zhdukur prej katër ditësh dhe ka dyshime të forta lidhur me gjendjen shënderësore të liderit suprem.
Ndërkohë kanalet e komunikimit mes SHBA-ve dhe Iranit, si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes ndërmjetësve, kanë qenë të pasigurta dhe të ndërprera herë pas here, sipas zyrtarëve amerikanë.
Pavarësisht kësaj, Presidenti Trump ka deklaruar se shpreson që pas sulmeve të fundjavës, Irani të rikthehet në tryezën e bisedimeve, të cilat kishin ngecur që përpara se Izraeli të niste sulmet ndaj objektivave iraniane në fillim të këtij muaji.
Sipas zyrtarëve, SHBA-të kanë mbajtur komunikim të vazhdueshëm në prapaskenë me Iranin gjatë gjithë krizës aktuale.