Aplikacion
Policia e Shkodrës ka zbardhur detaje nga incidenti i ndodhur një ditë më parë në lagjen “Guerrile”, ku një person qëlloi me armë zjarri gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar kontrollit të policisë.
Në kuadër të operacionit policor janë arrestuar dy persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas policisë, në pranga janë vënë Ervis Baba, 43 vjeç dhe një 17-vjeçar, të dy banues në lagjen “Guerrile”.
Ndërkohë është shpallur në kërkim Barush Bregu, 40 vjeç, i cili rezulton me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe për vjedhje.
Ngjarja ndodhi pasditen e 9 marsit, rreth orës 15:10, kur gjatë patrullimit policia i bëri shenjë ndalimi një automjeti që drejtohej nga 43-vjeçari. Në makinë ndodheshin edhe 17-vjeçari dhe 40-vjeçari i shpallur në kërkim. Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të efektivëve dhe u largua me shpejtësi, duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë.
Policia iu vu menjëherë në ndjekje automjetit. Gjatë përpjekjes për t’u larguar, 40-vjeçari dyshohet se ka zbritur nga makina dhe ka qëlluar me pistoletë në ajër, me qëllim kanosjen e efektivëve dhe krijimin e mundësisë për t’u arratisur.
Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e policisë gjetën armën e zjarrit të dyshuar të përdorur nga autori, e cila u sekuestrua së bashku me municionin dhe automjetin tip “Seat Volkswagen” me të cilin lëviznin të dyshuarit.
Operacioni policor u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, në kuadër të operacionit të koduar “Risku”.