zoom

Lajme

WSJ: Pas protestave, Kushner heq dorë nga plani për të ndërtuar kompleksin luksoz në Serbi

WSJ: Pas protestave, Kushner heq dorë nga plani për të ndërtuar kompleksin luksoz në Serbi

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga projekti për ndërtimin e një hoteli në Beograd, raportoi gazeta Wall Street Journal më 15 dhjetor.

Projekti ishte parashikuar në vendin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila u shkatërrua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Kompania e Kushnerit “Affinity Partners” kishte planifikuar të ndërtonte aty një hotel luksoz.

Lajmi erdhi në ditën kur Prokuroria Publike për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit aktual të Kulturës, Nikolla Sellakoviç, për shkelje gjatë heqjes së statusit të pronësisë së objekteve kulturore ndaj ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, në qendër të Beogradit.

Sellakoviç akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.

“Për shkak se projektet e mëdha duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe Beogradit, ne tërhiqemi nga aplikimi ynë dhe këtë herë qëndrojmë mënjanë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë private investuese të Kushnerit, “Affinity Partners”, sipas Wall Street Journal.

Prokuroria për Krim të Organizuar po kryen hetime që nga maji për falsifikimin e dyshuar të dokumenteve, të cilat shërbyen si bazë që Qeveria e Serbisë t’i hiqte statusin e pronësisë kulturore ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Sipas akuzave të mëparshme nga Zyra e Prokurorit, drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasiq, pranoi falsifikimin e dokumenteve.

Bazuar në atë dokumentacion, Ministrisë së Kulturës, e cila udhëhiqet nga Sellakoviç nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, i është dorëzuar një iniciativë për miratimin e vendimit për heqjen e statusit të pronësisë kulturore ndaj ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.

Postime të lidhura