Aplikacion
Prindërit e Ilaria Sula, Gëzime dhe Flamur Sula, kanë ndarë publikisht dhimbjen e tyre të thellë pas vrasjes tragjike të vajzës, e cila u qëllua me thikë nga ish-partneri i saj, Mark Samson. Ky i fundit e pranoi krimin vetëm pasi kishte fshehur trupin dhe ishte shtirur sikur ajo ishte larguar me dëshirë, duke dërguar edhe mesazhe nga telefoni i saj.
Në një intervistë për emisionin “Verissimo” në Itali, prindërit treguan momentet e fundit kur kishin kontakt me të bijën, duke hedhur dyshime se vrasja ishte e planifikuar.
“25 marsi 2025 ishte dita e fundit kur kemi folur me Ilarian. Për ne, ajo është vrarë po atë ditë. Ai kishte planifikuar gjithçka”, u shprehën ata, duke kundërshtuar pretendimet e autorit se krimi nuk ishte i paramenduar.
Alarmi për zhdukjen u dha pasi e reja nuk zbriti nga treni që duhej ta kthente në shtëpi nga Roma, ku studionte. Familjarët udhëtuan menjëherë drejt kryeqytetit italian dhe bënë denoncimin në polici, ku u përballën edhe me autorin e dyshuar.
“E pyeta nëse kishte lidhje me zhdukjen e saj dhe ai u betua se nuk do t’i bënte asnjë të keqe, madje tha se e donte”, rrëfen Flamur Sula.
Gjatë ditëve të zhdukjes, autori kishte dërguar mesazhe nga telefoni i Ilarias për të krijuar përshtypjen se ajo ishte larguar vetë. Ishte vëllai i saj ai që arriti të gjurmonte telefonin në shtëpinë e autorit, çka çoi në zbulimin e krimit dhe rrëfimin e tij.
Trupi i pajetë i vajzës u gjet më 2 prill, i fshehur në një valixhe dhe i hedhur në një greminë. Sipas hetimeve, në fshehjen e gjurmëve dyshohet se ka ndihmuar edhe nëna e autorit, e cila ka pranuar një dënim prej dy vitesh.
Prindërit shprehen se nuk mund ta falin kurrë këtë akt. “Si mund të kërkojë falje pasi ka pastruar gjakun e vajzës sonë?”, thanë ata.
Në një rrëfim prekës, nëna e Ilarias kujtoi edhe momentet e fundit me të bijën, duke treguar se e kishte përgatitur vetë për varrim dhe e viziton çdo ditë në varreza.
“Ashtu siç e preka herën e parë kur lindi, e rregullova me duart e mia ditën e fundit. Doja ta laja me duart e mia, ta prekja trupin e saj. I thashë burrit tim: ‘Dua të blej një fustan për princeshën tonë‘, sepse ajo ishte princesha e shtëpisë. Shkova t’i blej një fustan dhe këpucë”.Sot, familja Sula jeton mes dhimbjes dhe kërkesës për drejtësi. “Jeta jonë ka ndryshuar përgjithmonë. Nuk jetojmë më, vetëm mbijetojmë. Do vazhdojmë përpara për djalin tonë dhe për të siguruar drejtësi për Ilarian”, u shprehën ata.