Aplikacion
Ngjarja e rëndë e ndodhur më 5 tetor në kampingun e Finikounda-s, ku u vranë pronari grek 68-vjeçar dhe miku i tij shqiptar, ka marrë një tjetër kthesë pas dëshmive kontradiktore të dy të rinjve të arrestuar si të dyshuar për vrasjen.
Të dy 22-vjeçarët e arrestuar nga policia greke kanë dhënë versione të ndryshme të ngjarjes, duke fajësuar njëri-tjetrin si autorë të krimit. Sipas burimeve për median greke Protothema.gr, dëshmitë e tyre jo vetëm që nuk kanë ndihmuar në sqarimin e rastit, por kanë komplikuar edhe më tej hetimet.
Njëri prej të dyshuarve, i cili u vetëdorëzua në polici një ditë më parë në shoqërinë e avokatit të tij, ka deklaruar se nuk ka qenë ai që ka qëlluar viktimat. Ai pretendon se të dy mbërritën me motor në afërsi të kampingut, por ndërsa ai qëndroi jashtë, shoku i tij hyri brenda dhe kreu vrasjen.
Bazuar në këtë dëshmi, policia arrestoi edhe të riun tjetër si autor të dyshuar të ngjarjes. Por ky i fundit e ka mohuar kategorikisht përfshirjen në vrasje, duke deklaruar se ishte tjetri që qëlloi mbi viktimat.
“Shkova atje për paratë, nuk kisha arsye të vrisja askënd. Personi tjetër hyri brenda dhe qëlloi”, ka deklaruar ai në polici, duke shtuar se nuk njihte asnjërin prej viktimave.
Pavarësisht kësaj deklarate, nipi i pronarit grek ka identifikuar pikërisht këtë të ri si autor të krimit. Identifikimi i tij është një prej elementeve kyç të dosjes hetimore.
Hetimet e policisë greke po zgjerojnë pistat, pasi ka dyshime të forta për përfshirjen e një personi të tretë në ngjarje. Bazuar në analizat e antenave të telefonisë celulare në zonë, është zbuluar se pak minuta para vrasjes, njëri prej 22-vjeçarëve ka pasur një bisedë telefonike me një person tjetër, i cili më pas rezulton të ketë kontaktuar edhe një numër celulari që ndodhej brenda kampingut.
Këto komunikime janë konsideruar si indicie të rëndësishme për hetuesit, të cilët nuk përjashtojnë mundësinë që vrasja të jetë organizuar nga dikush i afërt me pronarin e kampingut.
Aktualisht, policia po përpiqet të identifikojë këtë person të tretë dhe të përcaktojë rolin e tij në ngjarjen tragjike, e cila ka tronditur komunitetin vendas.
Hetimet vijojnë, ndërsa dy të rinjtë mbeten në paraburgim në pritje të përfundimit të analizave të mëtejshme dhe ballafaqimit me provat materiale./Zoom.al
Dhunohet Polici i Rrugores në Shkodër, goditet me sende të forta jashtë orarit të punës