zoom

Aktualitet

Vrasja e Santiago Malkos, Apeli dënon përfundimisht me 25 vite burg Blendi Tetën

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka dënuar përfundimisht me 25 vite burg Blendi Tetën, i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko.

Apeli i GJKKO ka shpallur fajtor Tetën, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Ai akuzohet se ka vëzhguar lëvizjet e Malkos dhe ka ndihmuar autorët në ekzekutimin e tij.

Teta ankimoi vendimin e dënimit, pasi ka mohuar se ka qenë i përfshirë në vrasje. Sakaq, prokuroria ka depozituar prova të mjaftueshme për këtë të fundit, ndërsa gjykata e ka dënuar përfundimisht me 25 vite burg.

Fillimisht Blendi Teta u hetua për “moskallëzim krimi“, por pas hetimeve të mëtejshme të kryera nga prokuroria rezultoi se ai ishte në dijeni dhe pjesë e planit për vrasjen e tij. Santiago Malko u vra në gusht 2019 në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.