zoom

Aktualitet

Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Kush janë zyrtarët e lartë dhe efektivët që gënjyen për krimin?

Më shumë se një vit nga vrasja e Pjerin Xhuvanit në qytetin e Elbasanit pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, tetë efektivë policie janë vënë nën akuzë në lidhje me ngjarjen.

Në pranga janë vendosur dy ish-nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit që ishin të pranishëm në konfliktin që solli vrasjen e Pjerin Xhuvanit prillin e vitit të shkuar.

Një prej nëndrejtorëve është edhe Nikollaq Palla, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe deklarim të rremë për rrethanat e ngjarjes.

Zoom.al mësoi se ai nuk ka treguar gjatë marrjes në pyetje të një rrethane të rëndë, ku një nga grupet e përfshira në konflikt I ka vendosur atij pistoletën në kokë.

Në fakt ky nuk ishte më një sekret, pasi gati një vit më parë, Zoom.al ka zbuluar se Nikolla Pallës gjatë përplasjes që solli vrasjen e Pjerin Xhuvanit, një nga grupet e armatosura në konflikt I kishte vendosur pistoletën në kokë.

Por pavarësisht kësaj, ish-nëndrejtori i policisë nuk e ka treguar këtë fakt para hetuesve.

Ndaj tyre janë caktuar masa më të lehta sigurie se ajo e “Arrestit me burg” si ajo e “Arrestit shtëpiak” dhe pezullimit nga detyra.

Si Nushi, ashtu dhe Palla akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe atë të “Deklarimi i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Sipas prokurorisë ata kanë dhënë dëshmi të rreme për vrasjen që tronditi vendin 4 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021.

Urdhrat e arrestit u dhanë sot nga Gjykata e Elbasanit pas kërkesës së Prokurorisë së Rrethit dhe u ekzekutuan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajonale Elbasan-Korçë. Të dy zyrtarët do të qëndrojnë në arrest shtëpie.

Cilët janë efektivët e akuzuar?

Efektivët e hetuar dhe të pezulluar me urdhër të Gjykatës së Elbasanit nga ushtrimi i funksioneve publike, janë:

Dedjon Duraku, 30 vjeç, me detyrë punonjës policie në forcën e posaçme “Shqiponja”,

Pëllumb Biçaku, 33 vjeç, me detyrë punonjës policie në forcën e posaçme “Shqiponja”,

Erjon Balla, 26 vjeç, me detyrë punonjës policie në forcën e posaçme “Shqiponja”,

Erjon Meçja, 38 vjeç, me detyrë punonjës policie në forcën e posaçme “Shqiponja”,

Donald Dedja, 30 vjeç, me detyrë punonjës policie në forcën e posaçme “Shqiponja”,

Besmir Kadiu, 37 vjeç, me detyrë punonjës policie në forcën e posaçme “Shqiponja” në Elbasan.

“Vendimi është marrë në kuadër të hetimeve mbi ngjarjen e ndodhur më datë 21.04.2021 në qytetin e Elbasanit, ku si pasojë ka humbur jetën 1 shtetas dhe 4 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Nga shqyrtimi i akteve hetimore, Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan ka vlerësuar të drejtë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë ndaj shtetasve të mësipërm”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Si ndodhi vrasja e Pjerin Xhuanit

Pjerin Xhuvani mbeti I vrarë katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, vitin e shkuar. Ai mbeti I vrarë nga shtënat pas një përplasjeje të armatosur, ndërsa të vërtetat e atij momenti ende nuk dihen saktësisht.

Xhuvani, mjek dhe politikan lokal, ish-drejtues i LSI-së në Elbasan, por i afruar së fundmi me Partinë Socialiste, mbeti i vrarë në një konflikt me armë në lagjen “5 Maji” të qytetit, ndërsa 4 persona të tjerë u plagosën, mes të cilëve edhe Xhensila Sota, një efektive e Policisë që ndërhyri për të ndaluar konfliktin. Si autor i dyshuar i ngjarjes, u arrestua Arbër Papleka, ish-efektiv i Forcave Speciale, i cili ishte angazhuar pranë shtabit elektoral të Partisë Demokratike. Bazuar në ekspertizën balistike ka rezultuar se ka qenë Arbër Paplekaj, ai i cili përveç viktimës, ka qëlluar me armë edhe efektiven e Policisë Xhensila Sota./zoom.al/