zoom

Aktualitet

Vrasja e Gentjan Bejtes, Gjykata lë në burg 2 të arrestuarit. Avokati kërkon ekspertim të GPS

Gjykata e Tiranës ka lënë sot në burg Ilir Brahimin, i njohur edhe me mbiemrat Beqaraj dhe Mançellari dhe Edison Haxhiun, që dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e Gentjan Bejtjas, ngjarje e ndodhur më 15 mars, në fshatin Larushkt të Fushë-Krujës.

Seanca u mbajt në kushte të larta sigurie nga Policia, për të shmangur ndonjë incident.

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për Brahimin dhe Haxhiun. Në lidhje me masën e sigurisë, avokati i të dyshuarve deklaroi se dy të arestuarit dhe tashmë të burgosur, nuk kanë lidhje me ngjarjen. Ata pretenduan mungesë provash, teksa edhe të ndaluarit refuzuan hetuesit për dëshmi apo për statusin e të penduarit.

“Ne kërkojmë që të kryhet ekspertimi i GPS në makinë. Të arrestuarit nuk kanë lidhje me ngjarjen. Prokuroria nuk provoi që makina është e të arrestuarve. Prokuroria nuk provon se kush ishte në mjetin me xhamat e zinj”, deklaroi avokati i dy të dyshuarve.

Atentati dyshohet se është kryer nga grupi i “mbretit të kumarit”, biznesmenit të zhdukur prej 8 gushtit 2023, Ervis Martinaj, në shenjë hakmarrjeje. Bejtja, lidhje e afërt e organizatës së Martinajt më herët, besohet se ka bërë informatorin e grupit kundërshtar, duke çuar në disa atentate me pasoja fatale ndaj organizatës. Bejtja i kishte shpëtuar disa atentateve më parë, madje kishte konflikte edhe me grupe në Fushë-Krujë.

Viktima besohej se kishte lidhje edhe me atentatin e një viti më parë ndaj Ylli Brahimajt, kushëririt të të arrestuarit Ilir Beqaraj. Brahimaj njihej edhe si krahu i djathtë i të zhdukurit Martinaj. Për atentatin e fundit, që besohet se ka pistë hakmarrjen për spiunimet apo futjet në kurth, janë të dyshuar si organizatorë kushëriri i ndaluar i Martinajt, Emiljano Nina, e miku i tij në kërkim, Eljo Hato.

Nga përplasjet mes grupeve janë shënuar dhjetëra viktima ndër vite dhe paguar shuma deri në 500 mijë euro te vrasësit me pagesë. /ZOOM.AL/