Aplikacion
Qytetarët e Kosovës janë thirrur sërish sot në kutitë e votimit, në një proces zgjedhor që zhvillohet në një klimë të tensionuar politike dhe pas disa palë zgjedhjesh brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Këto zgjedhje konsiderohen si përpjekje për t’i dhënë drejtim një krize institucionale që, sipas analistëve, lidhet me mungesën e kompromisit mes forcave politike.
Zgjedhjet e sotme janë të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër procesi të parakohshëm më 28 dhjetor. Situata politike në vend është karakterizuar nga paqëndrueshmëri dhe vështirësi në formimin e një shumice të qëndrueshme qeverisëse.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në Prishtinë dhe pas votimit u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje. “Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve, aq më solid stabiliteti i institucioneve”, deklaroi ai, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin demokratik.
Edhe ish-presidentja Vjosa Osmani ka ushtruar të drejtën e votës, duke shprehur shpresën për një pjesëmarrje të lartë. “Shpresoj shumë që sa më shumë qytetarë të votojnë në këto zgjedhje kaq të rëndësishme”, tha Osmani, duke shtuar se vendi duhet të lërë pas krizën politike dhe të fokusojë në stabilitetin institucional.
Procesi i votimit po vijon në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa autoritetet apelojnë për një proces të qetë dhe demokratik.